Kthim në kohë për Tiranën dhe Partizanin, pas 19 vitesh “gërricen” përsëri për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 16:22

Kthim në kohë për Tiranën dhe Partizanin, pas 19 vitesh “gërricen” përsëri për titullin kampion

Hera e fundit kur Partizani dhe Tirana kanë luftuar për titullin kampion të paktën deri në javën e 26- të, ku ndodhemi në sezonin aktual, ka qenë edicioni 2003-2004. Në atë periudhë, ekipet e kryeqytetit, duke përfshirë edhe Dinamon, bënin “ligjin” në kampionatin shqiptar.

Tirana Partizani derbi

Pas 26 javësh të luajtura Tirana kryesonte me 59 pikë, kundrejt 52 të Partizanit. Dy skuadrat përballeshin fort në distancë me njëra-tjetrën deri në këtë pikë të sezonit. Më pas Tirana, e mësuar më shumë në ato sezone me gara të tilla, arriti të krijojë një shkëputje thuajse të pakthyeshme. Në lojë Partizani kishte edhe një tjetër letër: Kupën. Duke ndjerë se kampionati po i ikte dita-ditës nga duart, Partizani vendosi të orientohet në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, me qëllimin që të paktën sezoni të mos mbyllej pa trofe.

Në fund Tirana arriti të shpallej kampion. Në Kategorinë Superiore Partizani përfundoi i katërti, por i shkoi në perfeksion plani i Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë dilnin në finale me Dinamon dhe arrinin të fitonin me një gol të Henri Ndrekës në minutën e 12-të. Në Superkupë përballeshin sërish Tirana dhe Partizani, me të kuqtë që fitonin me shifrat 2-0 dhe koleksionin një tjetër trofe, si dhe regjistronin një “hakmarrje” të vogël për garën e humbur në kampionat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"