Kthesa nisi nga Rrogozhina, Kukësi sulmon… “podiumin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 12:51

Kthesa nisi nga Rrogozhina, Kukësi sulmon… “podiumin”

Kukësi rigjen sërish Egnatian. Pikërisht më 26 janar në transfertën rrogozhinase nisi kthesa e verilindorëve në rezultate, e cila ishte edhe fitorja e parë me përmbysje këtë sezon për ta.

335294270_3286323611585166_6666230705527855270_nBlutë janë gati për të treguar sërish forcën dhe të marrin maksimumin, i cili do t’i ngjiste më tej në klasifikim dhe do të ishin pretendentë seriozë më pas për të pretenduar Europën, kur mbetet edhe një fazë për t’u luajtur deri në fund. Optimizmi nuk mungon te të besuarit e trajnerit Rraman Hallaçi, në një kohë që pritet që skuadra të jetë e plotë, pasi për momentin nuk raportohen lojtarë të dëmtuar apo të dënuar me kartonë. Ekipi ka pasur në dispozicion më shumë ditë për t’u stërvitur për shkak të pauzës prej angazhimit të Kombëtareve, me verilindorët që nuk kanë pasur asnjë lojtar të impenjuar në këto ndeshje.

ECURIA Që nga ai triumf 1-2 në Rrogozhinë, Kukësi nisi të koleksionojë gjashtë fitore të rëndësishme në kampionat, një barazim dhe vetëm dy humbje. 19 pikë nga 27 të mundshme, që i kanë mundësuar kthesën që të gjithë prisnin në klub. Gjithsesi, në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në “Kukës Arena”, verilindorët kanë dalë të mundur pas një autogoli të portugezit Tiago Ferreira dhe tani do të kërkojnë të marrin edhe tri pikët e para në shtëpi këtë sezon ndaj rrogozhinasve. Tani mbetet për t’u parë nëse kjo ecuri do të vijojë të mbetet e tillë edhe në këtë sfidë apo do të vijë ndalesa e bluve, e cila mund të stopojë edhe objektivat e tyre sezonale. Në Kukës janë besimplotë se skuadra i ka të gjitha mundësitë të vijojë me këtë ritëm deri në fund të sezonit.

SHTËPIA Kjo ecuri pozitive merr më shumë vlera kur në shtëpi, përfshirë takimet në kampionat dhe Kupë, Kukësi fiton prej gjashtë ndeshjesh radhazi dhe të gjitha i ka fituar madje pa pësuar gol, përveç Kupës me Teutën, ku fituan 2-1. Nga ana tjetër në stadium janë rikthyer edhe tifozët, të cilët vazhdimisht po mbështesin skuadrën dhe kanë qenë një suport jo i vogël në javët e fundit, me klubin që ka aplikuar edhe hyrjen falas në stadium. Mbetet për t’u parë nëse edhe për këtë ndeshje do të kemi një hapje të dyerve nga ana e drejtuesve. Të mendosh që para disa muajsh shtëpia ishte një makth dhe skuadra priti plot katër javë që të koleksiononte fitoren e parë në Kukës. Tani, me të gjitha “kartat” në rregull para kësaj sfide, në Kukës shpresojnë që të marrin tri pikët, duke barazuar në klasifikim rrogozhinasit dhe i bërë presion vendeve të kreut.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"