“Kthesa nis me Vllazninë, s’ka dorëzim për titullin”, Hallaçi replikë me Shametin: Nuk kam nevojë për këshilla, vendos unë kush…luan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2021 | 15:40

“Kthesa nis me Vllazninë, s’ka dorëzim për titullin”, Hallaçi replikë me Shametin: Nuk kam nevojë për këshilla, vendos unë kush…luan

Rrahman Hallaçi beson se sot do të vijë kthesa e madhe e Kukësit në rezultate. Tri humbjet radhazi e kanë futur në kolaps skuadrën verilindore, por trajneri nuk dorëzohet as për titullin kampion, paçka se aktualisht është 12 pikë më pak se shkodranët kryesues. Në një intervistë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës nuk ngurroi t’i përgjigjej as ish-kapitenit të Kukësit, Ylli Shameti. Gjithashtu Hallaçi foli edhe për merkaton, duke theksuar se pret afrime në çdo repart. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh trajneri i Kukësit:
Hallaçi

Rrahman, pas tri humbjeve radhazi luani ndaj Vllaznisë kryesuese, të cilën e keni mundur në fazën e parë. Është ky momenti që Kukësi të tregojë sa vlen? I
kemi mundësitë për të arritur te suksesi në këtë ndeshje, por kuptohet që ky është një takim krejt tjetër nga ai që ne kemi fituar në fazën e parë në Shkodër. Jemi stërvitur në kushte shumë të mira, nuk është se kemi pasur ndonjë shqetësim fizik. Skuadra është gati për ndeshjen, por kuptohet që duhet të bëjmë kujdes, pasi kundërshtari është mjaft serioz. Mendoj se kemi shumë nevojë për një fitore ndaj Vllaznisë dhe besojmë shumë se do ta arrijmë.
ylli shameti
Ish-kapiteni dhe shoku juaj te Kukësi, Ylli Shameti, ka thënë se skuadrës aktuale i mungon lideri në fushë. Sipas tij, ju si trajner duhet të vendosni veton për të marrë vendime të rëndësishme. Keni një koment për këtë?
Unë jam trajneri dhe vendimet i kam marrë gjithmonë bashkë me stafin. Kam mbështetje të plotë nga drejtuesit më të lartë. Nuk më pëlqen të flas me fjalën lider sepse çdokush bën punën e vet. Pra, atë që duhet të bëj çdo lojtar i skuadrës. Të gjithë lojtarët unë i cilësoj të rëndësishëm për skuadrën. E bëj punën me stafin më së miri dhe në fund jam unë ai që vendos se kush luan. Nuk kam nevojë për këshilla nga askush, sepse kam stafin tim që diskutoj çdo detaj. Jam i përgatitur për çdo situatë dhe nuk dorëzohem në asnjë moment.

Sa e kanë goditur psikologjikisht skuadrën rezultatet e fundit?
Kur skuadra është në momente krize, duhet të ngremë sa më shumë moralin. Jemi mbledhur me ekipin dhe po u qëndrojmë sa më afër lojtarëve. Po mundohemi të rregullojmë çdo gabim që kemi bërë. Kuptohet ana psikologjike ka qenë pak e rënduar dhe po bëjmë maksimumin te kjo pjesë bashkë me stafin. Në këtë moment duhet rregulluar morali i skuadrës sepse afër saj nuk qëndrohet vetëm kur fitohen ndeshje, por edhe në momente delikate si këto.
vllaznia (1)
Besoni te fitorja ndaj Vllaznisë?
Po, sigurisht. Do jetë ndeshje e luftuar, por të mos harrojmë se edhe ne kemi një organikë të mirë, pavarësisht se nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Megjithatë, ky është futbolli dhe duhet të ecim përpara.

Jeni 12 pikë larg vendit të parë, keni hequr dorë nga objektivi titull?
Nuk largohemi nga objektivi në mënyrë absolute. Jemi në lojë qoftë për titull, ashtu edhe për Kupën. Edhe pse Vllaznia ka një shkëputje jo të vogël, kemi ndeshje direkte me shkodranët dhe nëse fitojmë çdo gjë do të jetë e hapur. Vërtet kemi qenë në krizë, por nuk dorëzohemi sepse kjo skuadër është e ndërtuar për trofe.

Çfarë prisni nga merkatoja?
Do të bëjmë përforcime në çdo repart, por na duhen vetëm lojtarë që bëjnë diferencën. Po kërkojmë lojtarë në mbrojtje, por edhe në mesfushë, qoftë në qendër dhe nga krahët. Edhe me sulmues po bisedojmë, prandaj mund të them se kemi nevojë në çdo repart për ndryshime. Duhet të kemi një organikë shumë të mirë për të konkurruar denjësisht deri në fund të sezonit. Në ekip kemi edhe disa lojtarë të rinj me perspektivë, kështu që do të mundohemi t’u japim hapësirë.
shqiprim taipii
Si është e vërteta me Shqiprim Taipin e Skënderbeut, jeni të interesuar?
Jam i përqendruar vetëm te ndeshja, nuk dua të flas për lojtarë që do të vijnë.
limaj
Do të luajë Vesel Limaj ndaj Vllaznisë?
Limaj është i grumbulluar, por do të shikojmë nëse e nis nga fillimi.
kuper
Çfarë po ndodh me sulmuesin Kuper, pse ka munguar?
Kuper është i dëmtuar, nuk është i gatshëm. U bënë disa ditë që ka një shqetësim dhe nuk do të jetë as ndaj Vllaznisë.

EKSKLUZIVE/ “Kukësi s’ka unitet në lojë, gabuan në merkato”, Shameti: Hallaçi të vendosë…veton (E PLOTË)

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"