“Kthesa erdhi si shpagim për nisjen e kampionatit”, lezhjani Turkaj: Ia dalim në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2019 | 17:12

“Kthesa erdhi si shpagim për nisjen e kampionatit”, lezhjani Turkaj: Ia dalim në Korçë

Rudolf Turkajt i mjaftuan disa miqësore të mira në verë për të zënë vend te Laçi. Nëse në të shkuarën ka luajtur me Besëlidhjen, Shënkollin apo Ilirinë, tashmë është kthyer në një titullar fiks te kurbinasit në elitë. Është i lumtur për këto “arritje të vogla”, e megjithatë në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” rrëfen se ka plane edhe më të mëdha.

Turkaj2

Jeni kthyer në titullar “fiks” te Laçi. E kishit menduar kështu?

Të them të drejtën, jo. Por ky fakt më lumturon dhe motivon që të mos ndalem për asnjë çast. Duhet të punoj fort për të ruajtur këtë ecuri. Dhe vend për eufori nuk ka.

Si është të luash në elitë?

Të luash në elitë është një ndjesi mjaft e mirë, sidomos në një skuadër si Laçi, që ka ambicie të mëdha. Klubi ynë synon gjithnjë për lart.

Laçi u kthye bindshëm me dy fitore identike 3- 0. Sa shpresë ju jep kjo gjë për vazhdimësinë?

Rezultatet janë shpagim i punës së madhe që kemi bërë që në verë. Lojërat nuk na kanë munguar edhe në fillim të sezonit, por pikët nuk i kemi marrë. Rrezikshmëria në sulm nuk ka munguar, por konkretizimi s’ka qenë i duhuri. E megjithatë, çdo gjë është rregulluar. Kjo i përket të shkuarës dhe fatmirësisht e treguam në 180 minutat e fundit.

Turkaj

E ka potencialin ky ekip për të pretenduar titullin, apo mjaftoheni me Europën?

Potenciali dhe kualitetet nuk na mungojnë. por ne kemi një mision, do të luftojmë ndeshje pas ndeshjeje. Ndaj Teutës dhe Vllaznisë dëshmuam se jemi të aftë të përballemi kundra çdo ekipi pa kurrfarë frike, ndaj me këtë objektiv do të vijojmë. Është ndeshja e radhës.

Dhe sfida e radhës luhet në Korçë. Çfarë pritni nga ky 90-minutësh?

Do të jetë një duel i luftuar ai kundër Skënderbeut dhe kjo është logjike, për vetë pozitat që kanë ekipet. Paraqitjet tona na japin të drejtë të pretendojmë për të marrë maksimumin e pikëve në Korçë, edhe pse jemi koshientë se nuk do të jetë e lehtë.

Bujar Balliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"