“Kthesa e madhe nis nga Shkodra”, mesfushori Aleksi: Tek Teuta nuk ka asnjë presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 16:50

“Kthesa e madhe nis nga Shkodra”, mesfushori Aleksi: Tek Teuta nuk ka asnjë presion

Teuta ka 4 javë që nuk fiton, e megjithatë lojtarët janë të bindur se nuk ka krizë dhe aq më pak presion. Ky pushim ka ardhur si me “porosi” në Durrës, pasi do të kenë mundësi të ndreqin gabimet e hasura.

aleksi teuta

I këtij mendimi është edhe Albano Aleksi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” duket i bindur se kthesa do të vijë në Shkodër. Përballë Vllaznisë ai pret fitoren, ndërsa hapur e thotë se ka ardhur kohë t’i jepet fund me barazime.

 Keni dy javë kohë për të përgatitur ndeshjen me Vllazninë. Erdhi në kohën e duhur ky “pushim”?

Pushimi ka ardhur në kohën e duhur. Janë gati dy javë në dispozicion për të përgatitur javën e 13-të. Të gjithë lojtarët jemi të angazhuar në çdo stërvitje dhe të fokusuar te Vllaznia. Kushdo që do të ketë mundësi të luajë në këtë 90- minutësh, duhet të respektojë kundërshtarin fillimisht dhe së dyti të japë maksimumin në fushë. E kam ndjekur Vllazninë ndaj Tiranës dhe vura re një ekip shumë të organizuar, që ua bëri shumë të vështirë kryeqytetasve. Nuk është e lehtë dhe ne duhet të japim më të mirën për të fituar.

Transferta në Shkodër, a do të jetë prova e vërtetë e Teutës?

Është një takim delikat. Si Vllaznia, por edhe ne, jemi në pozita jo të mira. I kemi të gjitha mundësitë për të marrë tri pikë. Vllaznia është një ekip që të lejon të luash futboll. Kush jep maksimumin, merr edhe frytet e lojës në atë stadium.

U bënë 4 javë pa fitore, a ndihet nën presion ekipi? 

Jo. Ekipi nuk është nën presion para kësaj ndeshjeje. Për ne është një situatë normale dhe të gjithë e dimë se është një ndeshje, e cila duhet fituar me çdo kusht.

Do të “firmosnit” për një tjetër barazim në javën e 13-të? 

E kam thënë dhe më parë, jam nga ata që asnjëherë nuk firmos për barazim. Në këtë sport, kur përgatitesh për një pikë, zakonisht humbet, ndaj edhe ne do të përgatitemi të marrim maksimumin. Nuk do të shkojmë në Shkodër për 1 pikë, por për të fituar dhe për këtë do të japim 150% që të kënaqen edhe tifozët e Teutës.

Kur do ia jepni “shkelmin” kësaj minikrize?

Ne e kemi treguar me lojë që meritojmë më shumë dhe mund të fitojmë në çdo fushë të Shqipërisë. Teuta është një ekip që falë lojës së bukur që ka treguar, ka sot simpatizantë në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Durrës. Jam i bindur se do të rikthehemi më të fortë dhe do arrijmë shumë në këtë sezon.

A është kjo Teuta më e fortë e viteve të fundit?

Kjo Teutë duhet ta tregojë javë pas jave në fushë, në ndeshje se a është me e fortë se vjet. Llogaritë bëhen në fund, ndaj atëherë do të kuptohet nëse është apo jo kjo Teuta më e fortë e viteve të fundit.

 Zamir Qypi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"