Kthesa e madhe e Vllaznisë, një gol i pësuar në 6 ndeshje. Kuqeblutë kanë stabilizuar mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 21:04

Kthesa e madhe e Vllaznisë, një gol i pësuar në 6 ndeshje. Kuqeblutë kanë stabilizuar mbrojtjen

Vllaznia e fazës së tretë ka një ndryshim rrënjësor nga ajo e dy fazave të para. Kjo, jo vetëm nga rritja e nivelit të lojës, por për më tepër për sa i përket pikëve që kjo skuadër ka grumbulluar. Në fazën e tretë, skuadra shkodrane ka arritur që të marrë 11 pikë, duke koleksionuar 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm një humbje. Paraqitjet e skuadrës marrin një vlerë më shumë në këtë fazë të tretë edhe për vetë faktin se katër nga gjashtë takimet i kanë zhvilluar në transfertë.

Një nga faktet pse vlerësohet ekipi kuqeblu në këtë fazë janë golat e pësuar. Kuqeblutë kanë pësuar vetëm një gol, pikërisht në humbjen minimale 1-0 në Laç, ndërsa në këto gjashtë ndeshje të fazës së tretë, kanë shënuar 7 gola. Nisur nga kjo, forca e skuadrës shkodrane mesa duket ka qenë ajo që Gjoka ka kërkuar gjatë merkatos së dimrit, pra fuqizimi i mbrojtjes. Edhe reparti ofensiv po vjen drejt konsolidimit dhe me një bomber si Xhevahir Sukaj, gjithçka duket e garantuar.

vllaznia

Kujtojmë që në fazën e parë në po kaq takime, Vllaznia pati arritur të marrë vetëm 4 pikë, duke shënuar 3 gola dhe pësuar 6 të tillë. Megjithatë, ecuria e mirë momentale, ende nuk mjafton që të thuhet se problemet e Vllaznisë kanë marrë fund për sa i përket mbijetesës. Skuadra ka një takim tejet të vështirë këtë të mërkurë përballë Partizanit, që vjen pas një fitoreje bindëse ndaj Luftëtarit.

FORMACIONI ME PARTIZANIN

Trajneri Gjoka do të ketë një mungesë të rëndësishme për takimin me Partizanin. Bëhet fjalë për Nuredin Orelesin, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Gjithsesi, duke qenë se Orelesi luan në mesfushë dhe në këtë repart Vllaznia ka mjaftueshëm lojtarë në dispozicion, pritet që të mos ketë ndikim. Me shumë mundësi në vend të Orelesit nga minuta e parë pritet të aktivizohet mesfushori shkodran, Alsid Tafili. Ky i fundit ka treguar vlera, duke qenë një pjesë e rëndësishme e ekipit. Nga ana tjetër, skuadra shkodrane nuk pritet që të ketë lëvizje nga përballja e fundit ndaj Kamzës.

Në portë do të jetë Sherri, në mbrojtje katërshja Gocaj, Malota, Berisha e Mersini. Në mesin e fushës do të jenë Çinari, Krymi, Vucaj dhe kapiteni Lika, që së bashku me Tafilin do të përbëjnë pesëshen e këtij reparti. Ndërsa në sulm do të jetë një ish-lojtar i Partizanit në pjesën e parë të sezonit, Xhevahir Sukaj. Ky i fundit, ashtu si mbrojtësi Malota vijnë pas largimit nga të kuqtë në merkaton e janarit. Të dy janë kthyer tashmë te Vllaznia në pikat më të forta në mbrojtje dhe sulm. Tifozët shkodranë shpresojnë shumë që nesër të fitojnë dhe për më tepër sytë janë nga Sukaj, i cili gradualisht po arrin formën optimale.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"