Kthehet trajneri Lleshanaku, Elbasani shpreson te… huazimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2020 | 20:39

Kthehet trajneri Lleshanaku, Elbasani shpreson te… huazimet

Nëse këto ditë është folur për shumë rikthime të lojtarëve nga sezoni i kaluar, duke sjellë optimizëm te verdheblutë, dje ka ardhur edhe “rikthimi” më i rëndësishëm, ai i trajnerit Shkëlqim Lleshanaku. Për më se një javë numri 1 i stolit elbasanas ka munguar në seancat stërvitore për shkak të një problemi shëndetësor, por duket se e ka lënë pas atë dhe tani ka marrë “timonin” e ekipit në dorë.

Leshanaku Elbasani

Gjatë mungesës së tij, ekipi u drejtua nga ndihmëstrajneri Cenaj dhe zhvilloi dy takime miqësore, ku edhe u provuan disa lojtarë, për të cilët trajneri do të japë ose jo pëlqimin e tij për t’i mbajtur në skuadër. Në fakt, disa prej tyre e kanë marrë një OK paraprak për të qenë pjesë e verdhebluve, sepse kanë bërë një paraqitje pozitive në dy takimet miqësore.

Elbasani ka më shumë nevojë për afrime në repartin e avancuar, pasi has vështirësi për të gjetur golin dhe për më tepër i mungojnë alternativat.

Megjithatë, deri në mbyllje të merkatos, skuadra elbasanase do të presë për ndonjë afrim të mundshëm, duke luajtur sërish me “kartën” e huazimeve nga Superiorja, siç ka bërë shpesh këto sezonet e fundit. Ndonjë sulmues i ri që nuk do të ketë hapësirë në klubet e mëdha të Superiores, mund të veshë fanellën verdheblu për sezonin e ri.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"