Kthehet portieri grek i Luftëtarit, Çela: I shënova një skuadre të madhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2019 | 16:02

Kthehet portieri grek i Luftëtarit, Çela: I shënova një skuadre të madhe…

Luftëtari nis direkt stërvitjen për Tiranën. Këtë të diel do të luajnë një tjetër ndeshje, ndaj kohë për të “qarë” humbjen e thellë me Kukësin nuk ka. Ekipi zbarkoi në fushën sportive “Lefter Millo” të Dervicianit në orën 15:30, për të kryer seancën e parë. Mungesa e vetme ishte ajo e sulmuesit Andi Renja.

luftetari

Dëmtimi i pësuar të mërkurën nuk krijon panik, e megjithatë rikuperimi i tij do të shihet në dy ditët e fundit. Lajmi i mirë për Jorgos Marantas vjen për portën. Paiteris është rikthyer më në fund në stërvitje. Ai është vendosur nën urdhrat e stafit bluzi, ndaj ka të ngjarë që të jetë gati për javën e 10-të të Kategorisë Superiore.

ÇELA – Në Gjirokastër besojnë se kthesa do të vijë këtë javë. Me kundërshtarin që nuk po kalon momente të mira, shpresojnë që rezultati të jetë në favor. I këtij mendimi është edhe Joan Çela, autori i golit të vetëm. Kukësi i ndëshkoi 4 herë, ndaj rrjeta e të riut ishte një lloj ngushëllimi për bluzinjtë. Edhe pse i mërzitur nga humbja, 19-vjeçari nuk kishte si të mos shfaqej i lumtur për të parën rrjetë si profesionist.

paiteris luftetari

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë se ndaj Tiranës nuk do të jetë e lehtë, por fakti që luajnë në shtëpi duhet t’i motivojë. “Më vjen mirë që gjeta golin e parë me fanellën e Luftëtarit. Dhe më shumë më gëzon fakti që ia dola përballë një skuadre si Kukësi, të mbushur me kualitete.

Fakti që ia dola të gjej rrugën e rrjetës, më bën më shumë kërkues ndaj vetes. Megjithatë, s’mund të mos them se kur ne mundohemi dhe bëjmë më të mirën për skuadrën, penalizohemi.

Nëse vazhdohet me mentalitetin se Luftëtari është një skuadër e vogël dhe duhet ta shkelim me këmbë, atëherë çfarë duhet të bëjmë ne të rinjtë që punojmë për të treguar dhe mbajtur lart emrin e Luftëtarit? Për këtë fanellë, të gjithë jemi të gatshëm për të dhënë maksimumin. Ndaj të mbledhim forcat dhe të reagojmë një orë e më parë. Me Tiranën na pret një ndeshje e vështirë, por luajmë në shtëpi dhe do hyjmë në fushë për rezultat pozitiv”, përfundoi Çela.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"