Kthehet Levandovski, Ksavi: S’kemi ndër mend të ndalemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2023 | 13:20

Kthehet Levandovski, Ksavi: S’kemi ndër mend të ndalemi

Trajneri i Barcelonës, Ksavi Henandez, ka dalë në konferencën për shtyp para takimit të prapambetur të javës së 16-të në La Liga sonte në mbrëmje kundër Betisit.

235292

Barça udhëton për në Sevilje në një takim delikat, një përsëritje e gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës e luajtur në Arabinë Saudite muajin e kaluar. Atëherë kalonte Barcelona, por në kampionat situata është krejt tjetër dhe Ksavi e ka pranuar një gjë të tillë.

“Nuk besoj se ndeshja e Superkupës duket marrë si referencë. Ajo ishte një kompeticion tjetër, luhej në fushë neutrale e kishte specifikat e saj. Tani luajmë në fushën e tyre, ndaj e pres edhe më të vështirë. Pastaj mos harroni se edhe në Superkupë na vunë në vështirësi serioze”, tha Ksavi.

Por edhe pse në Sevilje pritet një ndeshje delikate, Ksavi dhe Barça e kanë të qartë se duan t’u japin një tjetër goditje ndjekësve të tyre. Që do të thotë se ndaj Betisit fitorja shihet si domosdoshmëri.

“Nëse marrim 6-7 ndeshjet e fundit, në katër prej tyre jemi paraqitur mjaft mirë. Ndërsa në dy takime të tjera kemi qenë larg pritshmërive tona. Por objektivi ynë është gjithnjë i njëjti, të fitojmë, duke luajtur një futboll argëtues. Jo gjithnjë mund t’ia dalim, por e kemi të qartë se çfarë kërkojmë nga vetja. Kjo është një fazë shumë delikate e sezonit, mund të rezultojë vendimtare, ndaj edhe përballjen ndaj Betisit e shoh si një finale. Duhet të zbresim të karikuar në fushë, por natyrisht të përmirësojmë diçka në sulm”, tha ai.

Ksavi ka komentuar edhe regjistrimin e kontratës së Gavit në La Liga, duke e quajtur lajmin më të mirë në ditën e fundit të merkatos.

“Regjistrimi i kontratës së Gavit dhe federimi i tij me ekipin e parë është lajmi më i mirë për ne. Ishte një ndër objektivat e merkatos së janarit”, ka thënë Ksavi.

Ndërkaq, këtë herë në lidhje me formacionin, lajmi i mirë për teknikun e Barcelonës është kthimi i gatshëm i Robert Levandovskit, i cili ka shlyer pezullimin prej 3 ndeshjesh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"