Lamellari firmos për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2014 | 9:03

Lamellari firmos për Dinamon

LamellariDinamo, ndonëse disa ditë në krizë, pothuajse e ka zgjidhur situatën e katërkëndëshit për sezonin e ri që do të startojë pas tri javësh. Kështu, brenda pak ditësh, disa portierë iu bashkuan 18 herë kampionëve, pikërisht lushnjarët Denis Guga dhe Mikel Kaloshi. Mirëpo, aventura për këtë të fundit ka mbaruar shumë shpejt në radhët e bluve. Kjo pasi me rikthimin e portierit Daniel Lamellari, ky pozicion quhet pothuajse i mbyllur. Burime informative pranë klubit blu bëjnë me dije se Lamellari nuk e ka kaluar provën te Vllaznia, ndërsa është rikthyer sërish te skuadra kryeqytetase. Nga sa mësohet, ai ka firmosur kontratën me Dinamon dhe nga dita e hënë do të jetë pjesë e skuadrës, duke e vendosur kështu përfundimisht zgjedhjen e tij për kampionatin e ri futbollistik. Kujtojmë këtu se portieri korçar, gjatë verës, u bë pjesë e kurbinasve, ku u aktivizua në ndeshjet e Ligës së Europës që ky ekip zhvilloi, ndërsa nuk arriti akordin përfundimtar për të qenë pjesë e kurbinasve edhe në kampionat.
Saraçi – Alternativë për portën dinamovite pritet të jetë dhe i riu Endri Saraçi. Ishportieri i Tiranës U-19 do të dalë në fushë ditën e hënë me blutë e kryeqytetit, ndërsa do të jetë nën mbikëqyrjen e stafit teknik për disa ditë. Saraçi është kërkuar edhe nga Apolonia, por kontrata e gjatë që i afruan fierakët, e bënë “gardianin” të kthehej në Tiranë.
Axhenda – Për shkak të ngarkesës së madhe gjatë fazës përgatitore dhe dy ndeshjeve të fundit miqësore, të zhvilluara në harkun kohor të 48 orëve, stafi teknik i bluve u ka akorduar futbollistëve dy ditë pushim. Ndërkaq, ditën e hënë, dinamovitët do të zbresin në fushë, ku do të nisin me seancat stërvitore, në kuadër të sezonit të ri. Ndërkohë, pritet një ristrukturim i skuadrës, pasi në javën përgatitore të lënë pas, numri një i pankinës blu, Dritan Mehmeti, ka pasur një numër të lartë futbollistësh në dispozicion, mes tyre emra që nuk kanë bindur, duke i larguar nga kjo skuadër. Drejtuesit blu kërkojnë që këtë vit të ndërtojë një skuadër cilësore, me qëllim që të mos e diskutojë ngjitjen në Superiore.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"