Ksavi qan mungesat nga dëmtimet kundër Majorkës së Muriqit, por… “Dua vetëm fitore”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 16:40

Ksavi qan mungesat nga dëmtimet kundër Majorkës së Muriqit, por… “Dua vetëm fitore”

Kur Barcelona fiton te më 17 shtator kundër Elçes 3-0, trajneri Ksavi shfaqej i lumtur para gazetarëve. Momentalisht skuadra e tij ishte në krye të La Ligas – e mori Reali 24 orë më pas vendin e parë – dhe nuk kishte asnjë shqetësim me dëmtimet, të gjithë të gatshëm.

KSAVI

Dy javë më vonë, situata është rrokullisur për trajnerin e katalanasve. Ai ka humbur 4 lojtarë si pasojë e dëmtimeve nga angazhimet me skuadrat kombëtare, De Jong e Depai me Holandën, Arauho me Uruguain dhe Kunde me Francën. Si të mos mjaftonin këta, në infermieri përfunduan dhe Serxhi Roberto dhe Hektor Bejerin, të cilët u dëmtuan në stërvitje me klubin. Një situatë e tillë e ka vënë në vështirësi teknikun e Barcelonës qe e ka shprehur merakun e tij. Por nga ana tjetër, në prag të ndeshjes kundër Majorkës, ai ka e ka bërë të qartë se dëmtimet nuk janë justifikim.

“Nuk mund ta fsheh, po jam i zhgënjyer për këtë situatë. Në vetëm dy javë kemi pasur shumë dëmtime. Tani do të na duhet të gjejmë shkakun e këtyre dëmtimeve. Është me të vërtetë për të ardhur keq, sepse ishim në një situatë optimale dhe tani gjendemi në mes të problemeve.

Gjithsesi, dëmtimet nuk duhet të na shërbejnë si justifikim për ecurinë tonë. Ky është rasti për të treguar se kemi një skuadër të shkëlqyer, ku secili ndihet titullar dhe i rëndësishëm”, ka thënë Ksavi. Duke qëndruar po te dëmtimet, trajneri i Barcelonës ka nënvizuar se më së shumti e shqetëson kohëzgjatja e dëmtimeve, me Arauhon e Kunde dy më problematikët.

Sa për ndeshjen ndaj Majorkës, Ksavi ka qenë i qartë: “Shpresoj të dominojmë e të kthehemi me tri pikë në Barcelonë”. Në rast se Barcelona nuk do të humbasë në takimin në Majorka, Ksavi do të kalonte Zinedin Zidanin, pasi do të arrinte shifrën e 18 takimeve radhazi jashtë fushe pa humbje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"