Krymi: Duhet të kishim dy pikë më shumë, bëjmë gjithçka në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 12:17

Krymi: Duhet të kishim dy pikë më shumë, bëjmë gjithçka në Kupë

Për mesfushorin shkodran, Ardit Krymi, fitimi i Kupës së Shqipërisë mund të jetë një synim i kuqebluve. Titullari i shkodranëve vlerëson nisjen e këtij viti, pavarësisht se sipas tij Vllaznia mund të kishte fituar edhe në përballjen e fundit ndaj Laçit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpreson dhe beson se afrimet e reja do të jenë të duhurat për këtë skuadër. Gjithashtu u bën apel shokëve të ekipit që të vlerësojnë si duhet Flamurtarin, pasi nuk ka rivalë të dobët. Krymi priste që edhe në ndeshjen ndaj Laçit, ekipi kuqeblu të fitonte.

ardit krymi

Si e vlerësoni nisjen e këtij viti, ku në dy ndeshje keni marrë katër pikë?

Besoj se kemi merituar gjashtë pikë në këto dy ndeshje të para. Paraqitja ka qenë shumë e mirë dhe të gjithë pa përjashtim kanë dhënë maksimumin. Nisja mund të ishte edhe më pozitive, por gjithsesi ky kampionat ka treguar se po bëhet përherë edhe më i fortë.

Në ndeshjen ndaj Laçit prisnit më tepër?

E thashë edhe më lart. Meritonim tri pikët në atë takim. Më vjen keq që nuk i arritëm, pasi do të kishim një vend tjetër në tabelën e klasifikimit.

Tri afrime nga klubi deri më tani. Mendoni se me këta lojtarë, por edhe të tjerë që priten mund të shikojmë një Vllazni më kompetitive?

Lojtarëve të ardhur në merkaton e janarit duhet t’u jepet kohë që të integrohen me ekipin. Unë besoj se ata do të japin më të mirën.

VLLAZNIA FLAMURTARI

 

Sot keni përballë sërish Flamurtarin, këtë herë për Kupën e Shqipërisë.Besoni se do të bëni një hap përpara që në këtë ndeshje?

Nuk ka ekipe të dobëta. Të gjithë do të kërkojnë që të japin maksimumin e tyre dhe të kenë synime në Kupë. Ne duhet të japim më të mirën që të bëjmë një hap përpara drejt kualifikimit që në përballjen e parë në fushën tonë.

I ka mundësitë Vllaznia t’i shkojë deri në fund Kupës?

Kupa duhet që të jenë synimi ynë këtë sezon. Besoj se i kemi mundësitë për të ecur përpara. Duhet të besojmë deri në fund për të qenë në finale. Megjithatë, ka kohë për të folur për qëllimin final.

Në fundjavë ju pret një ndeshje e vështirë në transfertë ndaj Bylisit, këtë herë për kampionat…?

Në fillim mendja është te Flamurtari, e më pas te Ballshi. Çdo përballje që kemi do të shkojmë të kërkojmë vetëm maksimumin e pikëve.

Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"