Kryevepra dhe kontestime, Kategoria e Parë nis… “zjarr”/ Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 15:13

Kryevepra dhe kontestime, Kategoria e Parë nis… “zjarr”/ Ja formacioni më i mirë dhe më i dobët i javës së parë

Kategoria e Parë ngre siparin. Pas gati tre muajsh pushim, skuadrat janë kthyer në fushë. Sezon i ri dhe formulë e re. Nuk ka më Veri dhe Jug, por një grup i vetëm me 16 skuadra. Një skemë që paralajmëron një garë shumë më shumë të ashpër, si për ngjitje, ashtu edhe për mbijetesën.

Kat 1

Kur dihet që në elitë kalojnë direkt dy vendet e para dhe e treta mund ta kapë vetëm me anë të “play off”-it dhe 4 skuadra bien direkt dhe dy luajnë ndeshje shtesë për të shpëtuar, kampionati pritet të jetë “flakë”. Kështu ngjau edhe me javën e parë, ku u luajtën 8 ndeshje dhe u prodhuan 14 gola.

Pati shumëçka: penallti, kontestime, kartonë të verdhë dhe të kuq. Ndoshta është herët për të folur për pretendente, e megjithatë skuadrat e investuara për misionin “Superiore” e shmangën blofin në start. Kush me vuajtje e kush jo, morën trepikëshin e parë, që i hap rrugë udhëtimit të gjatë që i pret.

Në Fier matën forcat dy ekipe që synojnë Kategorinë Superiore. Apolonia priste Erzenin në “Loni Papuçiu” dhe gjithçka u vulos nga një penallti. Një përballje e kalibruar në kompleks, por që u vendos nga pika e bardhë. Fierakët protestuan jo pak, megjithatë Jasmin Raboshta e shfrytëzoi dhe e ktheu në gol. Në Lezhë ishte Bylisi që festoi, duke mundur 0-2 Besëlidhjen vendëse. Lezhjanët u “fikën” për 4 minuta, ndonëse në superioritet numerik.

Një kryevepër e Millosh Stojanoviçit dhe 11-mëtërshi i Eridon Qardakut ishin përcaktues. Besa e nisi me “vrull” dhe duke shpallur hapur pretendime, ndonëse iu desh të luante në një fushë pa shumë nivel si ajo e Luzit. Mikel Canka dhe Nertil Hoxhaj sollën fitoren e parë sezonale përballë Turbinës që nuk i bëri dot ballë këmbënguljes së kavajasve. Korabi ishte “zjarr” në Berat. Edhe pse Tomori bëri mirë në një pjesë, nuk “shkrepi” dot. Kristi Joti dhe Taulant Marku me nga një gol për çdo fraksion bënë me “krahë” dibranët. Shkumbini vuajti me Vorën, por në shtëpi bëri detyrën.

Dopio Barbosa i nderoi, ndonëse vorakët i futën në stres për 90 minuta me shtyllat dhe rastet flagrante. Butrinti shkëlqeu gjithashtu. Përballë Pogradecit iu fal golit të Alesio Kolonjës, që sjell fitoren e parë pas 5 vitesh mungesë në të Parën. Befasia erdhi në Korçë, atje ku Maliqi shtangu Lushnjën me golat e Paulo Ivanit dhe Lion Ndocit. Juglindorët bënë debutim historik dhe këtë triumf do ta mbajnë mend gjatë.

Formacioni me i dobet kat 1 java 1

Te lushnjarët flitet gjithnjë për financa të sigurta, por janë aq larg ndërtimit të një ekipi që të synojë kthimin në mesin e më të mirëve. I vetmi “X” i kësaj jave erdhi në Pukë, ku Tërbuni dhe Burreli ndanë nga një pikë. Një rezultat që u mjafton matjanëve, por jo pukjanëve. Ata dominuan dhe krijuan një mori episodesh, por rrjeta nuk erdhi kurrë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"