“Kryetrafikant”, Gjonaj akuzon Kokëdhimën dhe nuk kursen as FSHF-në: Prishën garën! Në trysni prej 12 muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 21:21

“Kryetrafikant”, Gjonaj akuzon Kokëdhimën dhe nuk kursen as FSHF-në: Prishën garën! Në trysni prej 12 muajsh

Tërbuni mposhti 2-0 Korabin në javën e 30-të dhe zyrtarisht blindoi “play off”-in. Tashmë kanë edhe një shans për të kapur elitën, ndonëse rrugëtimi kalon nga tri ndeshje shtesë.

pjimage (23)

Pengesa e parë quhet “Apolonia”, finale që do të luhet në transfertë. Edhe pse do të jetë e vështirë, për të karikuar lojtarët ka menduar vetë Gjon Gjonaj. Kryebashkiaku dhe njëherësh presidenti është futur në dhomat e zhveshjes të shtunën dhe ka mbajtur një fjalim para ekipit. Mbledhja ka qenë e filmuar dhe është shpërndarë nga vetë Bashkia Pukë në rrjetet sociale. Pasi premtoi shpërblim për “kokën” e fierakëve, ai lëshoi akuza të forta për Koço Kokëdhimën.

Ai e cilësoi si kryetrafikant që ka prishur garën në Kategorinë e Parë. Nuk kurseu as vetë federatën ama, aq sa theksonte që për gati 12 muaj i kanë krijuar trysni. “Emocione na dhuruat deri në sekondat e fundit sot (të shtunën), ndaj ju lumshin këmbët. Për ndeshjen tjetër do t’ju jap një milion lekë shpërblim. Do t’jua jap nga vetja dhe jo nga ndërmarrja. Do të luajmë për atë ditë, pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme që kemi.

Unë do të prononcohem nesër ose pasnesër për kryetrafikantin e Kategorisë së Parë, Kokëdhimën. Do ankohemi edhe në federatë, pasi ai po trafikon gjatë gjithë kampionatit. Me humb gjithë kampionatin me shku dhe në Kategori të Dytë unë s’e kam problem, por Fierin e kam shumë problem. Kemi pësuar deformime fizike, mentale edhe ekonomike prej tij. Ky do të jetë prezantimi i parë me këto instancat kryesore, por prej jush kërkoj mobilizim. Unë nuk dua asgjë tjetër, vetëm të mundni Fierin. Nuk kam pretendime për me ik ose me qëndru e histori të tjera.

Unë, personalisht, kam qenë në një trysni të jashtëzakonshme prej tij dhe federatës. Plot 12 muaj. Njeriu po kërkoi të rrijë si i madh, të qëndrojë si i tillë, jo të bëhesh i vogël si ai. Kërkoj mbështetjen tuaj totale dhe pres impenjim maksimal gjatë kësaj jave. Të paktën, të dalim dinjitozë. Ju e patë edhe vetë në një aktivitet 10-mujor pa asnjë lloj pisllëk. Kështu që, në këto kushte ia vlen që të dalim kryelartë me çfarëdo lloj mundimi dhe sakrifice. Faleminderit prej jush!”, përfundoi kryebashkiaku Gjon Gjonaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"