Kryetari i Këshillit Bashkiak: Vllaznia duhet të privatizohet, qytetarit t’i dinë rrogat pa problem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2018 | 22:53

Kryetari i Këshillit Bashkiak: Vllaznia duhet të privatizohet, qytetarit t’i dinë rrogat pa problem

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, mendon se përgjegjës për situatën te Vllaznia janë që nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi dhe deri te lojtari i fundit. Megjithatë, Bushati, nga ana tjetër, shprehet se bashkia dhe Këshilli Bashkiak kanë bërë më të mirën për Vllazninë duke miratuar çdo herë projektvendim me fondet përkatëse për kuqeblutë. Kreu i këshillit bashkiak thotë se nuk ka bërë një aludim, por mund të jetë një e vërtetë që Vllaznia të bie në Kategorinë e Parë dhe, më pas, të shitet më lirë, megjithatë këtë nuk e uron dhe shpreson të mos ndodhë.

Si ndiheni në radhë të parë si qytetar për gjendjen aktuale të Vllaznisë?

Si qytetar dhe si sportdashës, nuk ndihem aspak mirë. Situata te Vllaznia nuk është ajo që pritet nga opinioni sportiv dhe, duke qenë një sportdashës, nuk ndihem aspak mirë.

xhemal bushati

Çfarë mund të bëjë Këshilli i Bashkisë ose asambleja diçka më shumë për t’i dhënë pak zemër ekipit?

Këshilli i Bashkisë ka bërë më të mirën e mundshme për Vllazninë. Këshilli ka miratuar të gjitha projektvendimet për akordim fondesh për Vllazninë me propozim të kryetares së bashkisë. Pavarësisht situatave jo të mira financiare të Bashkisë Shkodër, Këshilli Bashkiak asnjëherë nuk ka refuzuar të gjitha projektvendimet për Vllazninë, sepse të gjitha janë kaluar dhe për këtë përgëzoj të gjithë këshilltarët, pasi ekipin e kanë ndarë veç nga problematikat e tjera dhe kanë qenë dashamirës. Kjo situatë që është sot te Vllaznia nuk gëzon as këshillin dhe as opinionin qytetar shkodran.

Sipas jush, pse ndodhet Vllaznia në këtë situatë?

Me sa di unë, që në muajin maj kryetarja e bashkisë ka nisur tentativat bashkë me institucionet e tjera që kanë për detyrë mbarëvajtjen te Vllaznia, por gjatë zhvillimit të kampionatit po tregon se Vllaznia nuk ka arritur asnjë nga objektivat e saj.

Ju keni shprehur një lloj irritimi në Këshillin Bashkiak. Mendoni se, duke nisur nga lojtarët, stafi dhe drejtuesit duhet të kenë një përgjegjësi më të madhe?

Normalisht. Unë jo se kam shprehur irritim, por do thosha që nuk kam qenë dhe nuk jam i gëzuar për situatën te Vllaznia dhe kam thënë që të bëhet një analizë e situatës dhe të shihen shkaqet pse ka ardhur skuadra deri këtu. Krahas saj mendoj se duhet përmirësuar situata dhe mbi bazën e një analize shumë të thellë të faktorëve që kanë çuar Vllazninë këtu të bëhen edhe përmirësimet. Normalisht unë sot mendoj që te Vllaznia janë ata futbollistë që mund ta nxjerrin nga situata. Ne dhe gjithë opinioni sportiv duhet që t’i mbështesim këta djem për hir të emrit të Vllaznisë dhe kësaj fanelle të rëndë.

vllaznia mbledhja

Duhet të ndiejnë më shumë përgjegjësi të gjithë?

Absolutisht që po. Duhet të ndiej përgjegjësi gjithsecili, në radhë të parë për emrin e tyre, për emrin e familjes së tyre dhe të dinë se cilën fanellë kanë veshur. Duhet një përgjegjësi për të dhënë maksimumin e tyre të mundshëm që Vllaznia të dalë nga kjo situatë. Shpresoj dhe besoj se kthesa do fillojë që me Lushnjën, në mënyrë që të mos e shohim më në vendet e fundit të tabelës, sepse nuk e meriton dhe nuk i takon të jetë aty.

Keni bërë një aludim që Vllaznia nuk duhet lënë që të rrëzohet nga kategoria dhe, më pas, të privatizohet më thjesht?

Nuk kam bërë një aludim, por kam thënë një të vërtetë. E rëndësishme është që Vllaznia të jetë në pozita të mira në tabelën e klasifikimit dhe të ketë një gjendje financiare të shëndoshë dhe pastaj të privatizohet. Privatizimi është zgjidhja më e mirë për problemin e Vllaznisë. Po ta shohim situatën, dy klubet më të mëdha të Shqipërisë, Vllaznia dhe Tirana, janë dy klube që i kanë bashkitë dhe asnjëra prej këtyre klubeve nuk ishte me sukses nga drejtimi i bashkive.

Kjo do të thotë se problemi është sistemi. Kemi një sistem jo të mirorganizuar. Disa klube drejtohen në mënyra të ndryshme dhe disa të tjerë në të tjera mënyra. Klubet që drejtohen në mënyrë të pastër dhe janë pronë publike në kohët e sotshme nuk janë të suksesshëm. E mira do të ishte që të gjitha klubet të ishin në stad të barabartë ose të ishin publike ose private. Privati është i suksesshëm dhe uroj që Vllaznia të dalë sa më shpejt nga situata të privatizohet dhe të gjithë të shohin një Vllazni tjetër.

E shihni një skenar rënien e Vllaznisë dhe, më pas, privatizimin për shkak se mund të shitet më lirë?

Unë nuk mund të gjykoj dhe nuk kam informacion, por normalisht gjithçka mund të ndodhë, por është detyrë e stafit teknik e futbollistëve dhe stafit drejtues që Vllazninë të mos e lënë që të bjerë.

Mendoni se Tatim-Taksat po e rëndojnë klubin më shumë siç pretendon administratori Gjyrezi?

Nuk e mendoj. Vllaznia është sh.a. Ka një metodologji tjetër për pagat duke mbajtur një tatim mbi të ardhurat. KLSH ka lënë porosi që te Vllaznia të paguhen sigurimet shoqërore dhe në këtë sistem mund të bëhet zbritja, mund të rakordohet dhe mund të bihet dakord me Tatimet sepse gjithçka te Vllaznia është transparente dhe nuk ka arsye që të ketë problematikë. Është shoqëri tregtare publike dhe mund të ketë zgjidhje të sakta, të ketë analogji edhe me klube të tjera dhe të shikohen pak balancat dhe mënyra e pagesës te klubet e tjera. Është i vetmi klub që ka transparencën maksimale. Për klubet e tjera nuk i dimë dhe këtu qëndron pabarazia dhe problemi.

Si ju është dukur sjellja e trajnerit që kur ka ardhur?

Duke mos pasur rezultate, ndonjëherë më kanë bërë që edhe të mos shkoj fare në stadium, ndonëse unë jam shumë sportdashës. Këtë herë isha në stadium dhe pas atij fillimi të mirë u gëzuam dhe menduam që fiton Vllaznia, por ndodhi ajo që ndodhi. Në televizor pashë intervistën e trajnerit Ernest Gjoka me gazetarët. Normalisht kjo kohë ku jemi kërkon që të gjithë bashkë ta mbështesim Vllazninë.

Trajneri vinte nga një humbje 1- 4 dhe gjendja emocionale e tij ishte e ngarkuar. Nuk vinte nga një fitore, sepse s’do të jepte atë përgjigje. Trajneri të bëjë detyrën mirë dhe ta nxjerrin Vllazninë nga situata dhe të mos kalojë në polemika. Të gjithë bashkë duhet të mbështesim Vllazninë duke lënë polemikat.

Mendoni se pagat në skuadër janë të larta?

A ka apo nuk ka duhet parë, se sot ka një treg. Di një shifër totale të pagave te Vllaznia, por jo për individë dhe nuk di pagat e klubeve të tjera. Aludohet që klubet e tjera fshehin shpenzimet, kurse Vllaznia i ka transparente. Duhet që Vllaznia t’i ketë pagat reale siç i ka tani. Në media janë bërë të ditura pagat e stafit dhe lojtarëve. Nuk duhet që të ketë asnjë problem, sepse janë lekët e qytetarëve të Shkodrës dhe shkodranët duhet të dinë se ku shkojnë këto para. Kur janë transparente, ka edhe më shumë drejtësi.

Një raport serioz e rendit Vllazninë si të tretën për sa u përket pagave të larta në ekipet shqiptare…

Nuk mund të them se është e treta. Sa reale janë pagat me ekipet e tjera? Nuk dihet sa janë pagat tek ekipet e tjera sepse ka evazion te skuadrat e tjera dhe nuk dihet sa paguhen. Nuk e kanë ekipet e tjera transparencën që ka Vllaznia, sepse Vllaznia s’ka të ardhura tjera përveçse nga e drejta televizive, nga FSHF, nga bashkia, nga stadiumi mungojnë për momentin, pra dihen të ardhurat dhe shpenzimet. Te skuadrat e tjera nuk dihen shpenzimet e sakta, ndaj ky raport nuk është krejt i besueshëm.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"