Kryeson, por Magani kërkon më shumë: Nuk e keni parë ende Teutën e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 14:30

Kryeson, por Magani kërkon më shumë: Nuk e keni parë ende Teutën e vërtetë

Teuta e ka nisur në perfeksion sezonin. Dëshmi për këtë janë 6 pikët e arkivuara në 180 minuta. Gugash Magani i gëzohet startit, por thekson se skuadra e tij duhet të punojë shumë më shumë për të ruajtur këto pozita. Kreu nuk e vendos kurrsesi nën presion, megjithatë qartëson se në këto momente askush nuk mendon për objektiva.

Magani

Beson se “djemtë e detit” mund të marshojnë drejt titullit, por nga ana tjetër, me sinqeritet, e pranon se “kundërshtari” i vetëm për të është… euforia. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës durrsake u bën skanerin dy javëve të para, si dhe tregon objektivat. Peqinasi nuk dëshiron që ta krahasojë ekipin e tij me kundërshtarët, por qartazi e thotë që Teuta ka treguar vetëm 70% të mundësive të saj.

Magani, si e vlerësoni paraqitjen e deritanishme të skuadrës?

Mendoj se skuadra është paraqitur mirë në këto dy sfida të luajtura. Fituam me Luftëtarin në shtëpi dhe morëm tri pikë në një transfertë shumë të vështirë, sikurse ishe ajo e Shkodrës. Jam i kënaqur sa u përket rezultateve, ndërsa rreth lojës kemi ende për t’u përmirësuar.

teuta

Tashmë vjen Flamurtari, si duket gjendja e grupit para këtij dueli?

Kemi nisur përgatitjet për këtë ndeshje dhe do të punojmë fort për ta përballuar me sukses kundërshtarin. Skuadra ka dëshirën e mirë për të punuar dhe luftuar, fakt që është pozitiv për të shkuar më tej. Fatmirësisht, pas 180 minutave të luajtura, kemi në gjendje të mirë fizike të gjithë grupin. Vetëm dy lojtarë shfaqën probleme dy ditë më parë, por do të jenë të gatshëm në fundjavë.

Cili është objektivi për këtë duel, a do të kënaqeshit me barazimin?

Ne e vlerësojmë maksimalisht Flamurtarin, sikurse çdo kundërshtar. E thashë se po punojmë fort për ta përballuar me sukses këtë ndeshje. Flamurtari është një kundërshtar shumë i fortë dhe ka një veçori që jashtë fushës së tij luan më mirë. Si në çdo përballje tjetër, ne mendojmë të futemi në fushë vetëm me qëllimin për ta fituar ndeshjen. Këtë synim kemi edhe në ndeshjen e radhës. Megjithatë, në futboll ka të papritura.

Fakti që jeni në krye, a ju vendos ndopak nën presion?

Kemi bërë dy ndeshje të mira dhe fatmirësisht jemi shpërblyer me fitore. E kemi nisur me këmbën e mbarë kampionatin, por tashmë duhet më shumë punë dhe impenjim për ta ruajtur këtë pozicion. Unë nuk mendoj se ka presion në skuadër. Lojtarët janë profesionistë dhe ky fakt nuk ndikon negativisht. Ne shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm.

Magani

Teuta duket sikur është një hap përpara skuadrave të tjera. Ka ndikuar fakti se keni nisur punën më herët se kolegët e tjerë?

Që e kemi nisur punën herët dhe kemi punuar shumë në të gjitha drejtimet përgjatë muajve të verës ky është një fakt. Por që jemi një hap para skuadrave të tjera, këtë s’e them dot. Pavarësisht se e kemi nisur punën herët, skuadra nuk është konsoliduar 100 për qind. Skuadra është në 70 për qind të mundësive të saj. Kemi ende punë për t’u perfeksionuar dhe për të ardhur aty ku janë mundësitë tona.

Duke para paraqitjen e rivalëve dhe sidomos hapat falsë të ekipeve pretendente, a ndryshojnë objektivat e skuadrës?

Absolutisht jo. Jemi vetëm në dy javët e para dhe kampionati nuk ka nisur ende. Nuk dua të mendojmë për objektivat, por për ndeshjet e radhës. T’i marrim maksimumin javë pas jave, kjo është detyra jonë.

Në përgjithësi dukeni i kënaqur nga performanca e skuadrës, po a ka diçka që nuk i pëlqen Maganit?

Kam një grup me djem shumë të mirë, të cilët kanë dëshirë të punojnë. Është shumë e rëndësishme për të punuar individualisht me gjithsecilin prej tyre në forma të ndryshme. Pra, një trajner nuk duhet të punojë vetëm në grup, por edhe me individë të caktuar. Unë mendoj se ajo që nuk do të më pëlqente te skuadra do të ishte euforia. Kundërshtari ynë më i fortë është pikërisht euforia dhe këtë duhet ta shmangim me çdo kusht.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"