Kryesojnë, por sa shumë akuza për Burrelin. Arbitrat “dashamirës” me matjanët, ja rastet këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2021 | 13:23

Kryesojnë, por sa shumë akuza për Burrelin. Arbitrat “dashamirës” me matjanët, ja rastet këtë sezon

Burreli sot është në krye. Marshimi i tij tërheq vëmendje, jo vetëm se nuk e njeh humbjen, por edhe me ankesat e shumta të kundërshtarëve. Nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për disa episode flagrante në ndeshje të ndryshme të këtij sezoni. Duke iu referuar sigurisht atyre që kanë edhe pamje filmike dhe janë transmetuar, kupton që diçka nuk shkon.

veleciku burreli

Po e nisim që në javën e 2-të, kur mundën 0-1 Vorën në Pezë-Helmës. Trajneri Gerald Çani reklamonte një penallti të padhënë dhe golin e matjanëve që niste në “offside”. Në javën e 4-t Besëlidhja barazoi 0-0 në shtëpi, e megjithatë për meritë të portierit që priti një penallti të paqenë. Baltë u bë në Orikum pastaj, për llogari të javës së 9-të. Burreli fitoi minimalisht, por vendësve iu mohuan katër 11- metërsha “sade” dhe asokohe ish-trajneri Besmir Shabani akuzonte se miqtë kishin shkuar me arbitra.

E njëjta situatë u përsërit në javën e 12-të në Partizani BBurreli 1-3, kur kryesori Halo dha një penallti, edhe pse faulli i pretenduar ishte jashtë zonë dhe kurseu të kuqin për ndërhyrjen e rrezikshme të portierit Miraka. Për ta mbyllur ishte kjo ndaj Besëlidhjes, ku ndërkombëtari Xhaja u mohoi penallti lezhjanëve dhe fali të kuqin për Sadush Danajn. Bëhen shumë episode, për të thënë që është rastësi. Natyrisht që matjanët kanë një skuadër të investuar dhe me cilësi, por fakt është që arbitrat kanë qenë shumë dashamirës ndaj tyre.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"