Kryendeshja ndaj Dortmundit, Kovaç ndez sfidën: Bajerni im nuk ka frikë, luajmë për prestigj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 10:02

Kryendeshja ndaj Dortmundit, Kovaç ndez sfidën: Bajerni im nuk ka frikë, luajmë për prestigj

Trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, ka qenë prezent në konferencën për shtyp dje para se skuadra e tij të nisej për në Dortmund. Bajerni do të luajë sfidën më të rëndësishme të sezonit kundër bardhezinjve që kryesojnë kampionatin pas 10 javësh.

niko kovac

Si përfundoi stërvitja e fundit përpara ndeshjes?

Gjithçka shkoi shumë mirë, për Arjen Roben duhet të presim dhe pak. Ai ka probleme në gju dhe nuk mund të japim ende asnjë verdikt.

Si e parashikoni ndeshjen me Borusian?

Dortmundi është favorit, pa dyshim. Ata janë në vendin e parë, jemi ne ata që duhet t’i ndjekim. Katër pikë diferencë nuk janë pak.

A është kampionati objektivi primar për Bajernin?

Ndiej mbështetje nga drejtuesit e klubit. Kjo nuk do të thotë që ata nuk duan të shpallen kampionë. Me fjalë nuk arrihet kjo gjë. Kundërshtarët janë më të fortë se në sezonin e kaluar. Ka shumë pak skuadra të dobëta. Mundohem gjithmonë të aktivizoj lojtarët që janë më në formë për të marrë rezultate të mira. Nuk bazohem te simpatia për individin. Këtu të gjithë janë simpatikë (qesh).

Cilat janë pikat e dobëta të kundërshtarit?

Borusia ka pak pika të dobëta në këto momente dhe shumë të forta. Ata janë shumë të kompletuar në çdo repart. Ato të dobëtat duhet t’i kërkosh e lupë.

Boateng nuk është grumbulluar me kombëtaren, çfarë mendimi keni?

Ky është vendimi i trajnerit të kombëtares. Në fakt, më ka surprizuar që ai nuk do të jetë me skuadrën e Gjermanisë. Kjo nuk do të thotë që nuk do të jetë pjesë e saj në të ardhmen. Në ndeshjet e fundit ai ka luajtur shumë mirë, ndaj besoj se në fund ai do të rikthehet aty ku i takon.

Sa e motivuar është skuadra?

Nesër (sot) është klasikja e futbollit gjerman. Të gjithë duan të luajnë. Kështu që secili duhet të japë më të mirën. Fakti që gjykon Manuel Grafe tregon që kanë vlerësuar takimin duke na dërguar arbitrin më të mirë. Borusia gjithashtu do të japë maksimumin e saj. Është një duel prestigji, për ne janë shumë gjëra në lojë. Duam të ngushtojmë sa më shumë të jetë e mundur distancën. Jam i bindur që lojtarët do të tregohen burra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"