“Kryeministri i di më mirë hallet tona”, Ilir Daja: Na vjen keq që nuk luhet futboll, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 12:39

“Kryeministri i di më mirë hallet tona”, Ilir Daja: Na vjen keq që nuk luhet futboll, por…

Partizani, ashtu si 9 skuadrat e tjera të Superiores, ka zbritur të shtunën në fushë sipas kalendarit të javës së dytë, ku ishte mysafir i Kukësit. Në këto ndeshje nuk ka pasur vërshëllima arbitrash, pasi ekipet u paraqiten në fushë për të protestuar. Skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjes janë rreshtuar në fushë dhe kapitenët kanë lexuar peticionin drejtuar qeverisë për zbatimin e kërkesave të bëra nga Liga. Situata duket disi e pazakontë për futbollistët dhe stafet teknike, të cilët prioritet kanë përgatitjet dhe paraqitjet në ndeshje. Trajneri Ilir Daja, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas “adetit” që skuadrat bënë në fushë, jep mesazhin e tij për situatën e krijuar dhe zbatimin e kërkesave nga qeveria.

Daja

Jo vetëm për Dajën, por për mbarë komunitetin sportiv, dëshira është që të nisë kampionati, gjë të cilën ata e treguan edhe gjatë pandemisë. Daja shpreson që palët të gjejnë mirëkuptimin dhe ka besim se kryeministri, si një ish-sportist, do ta përkrahë sportin shqiptar. “Na vjen keq që nuk luhet futboll, sepse ne e treguam edhe në momentin e pandemisë, ku fusha të tjera ishin të izoluara dhe tentuam të dilnim dhe të zhvillonim kampionatin. Por, sigurisht që i bashkohemi nismës që ka marrë komuniteti i futbollit për plotësimin e atyre pikave që tashmë dihen dhe shpresojmë në mirëkuptimin e qeverisë me në krye kryeministrin, sepse ai i di më shumë hallet tona, meqenëse është vetë i fushës si ish-sportist.

Shpresojmë në mirëkuptim për ta zgjidhur sa më shpejt në mënyrë që edhe sporti të ketë një tjetër mbështetje nga bizneset, sepse është një fushë ku të gjithë e kanë në vëmendje. Shpresoj që ky lloj suporti të kthehet në një bonus në të mirë edhe për shtetin, sepse duke u fuqizuar sporti dhe me formalizimin e tij, mund të mblidhen më shumë të ardhura nga sporti”, u shpreh fillimisht trajneri i Partizanit.

daja

PROBLEMI I SHTYRJES – Partizani nuk bën dot merkato dhe trajnerit i duhet të bëjë prova, si dhe për dëmtimet që ka ekipi, shtyrja mund të quhet e favorshme. Por, për trajnerin Daja shtyrja pa datë fillimi përbën problem, pasi kushtëzon punën dhe planet e stafeve. “Shtyrja ka të mirat dhe problemet e veta për çdo ekip, kjo nga gjendja që kalon. Gjithsesi, fillimi do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe problemi i shtyrjes mbetet mospasja e një date se kur nis kampionati. Data ka shumë rëndësi, pasi duhet të programosh ngarkesën stërvitore, si dhe planin që duhet të ndjekë skuadra në këtë periudhë”, u shpreh në fund trajneri Daja për “Panorama Sport”.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"