Kryebashkiaku Sejdini: Elbasani në gjyq, e kërkojnë blerës të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 23:01

Kryebashkiaku Sejdini: Elbasani në gjyq, e kërkojnë blerës të tjerë

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak është diskutuar jashtë rendit të ditës situata në klubin e futbollit të Elbasanit. Ka qenë këshilltari i PD-së, Eugen Isaji, ai që e ka hapur për diskutim, me kryebashkiakun Qazim Sejdini që ka sqaruar më pas situatën. Palët janë ende në gjyq dhe me të mbaruar gjyqi bashkia do akordojë një fond për futbollin, si edhe do t’i rinxjerrë sërish në shitje aksionet.

11350583_828141147223798_9106179125461474172_n-1

Shqetësimi 

Këshilltari i PD-së, Eugen Isaj, kërkoi nga kryebashkiaku Qazim Sejdini më shumë informacion në lidhje me klubin e futbollit të Elbasanit, duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje që mund ta nxjerrë skuadrën nga gjendja ku është aktualisht. “Një çështje që na prek të gjithëve është ajo që po ndodh me klubin e futbollit të Elbasanit, ku ma kanë shprehur si shqetësim edhe vetë qytetarët.

Çfarë po bëhet me aksionet dhe nuk e di nëse ne si bashki a kemi mundësi për të dhënë ndihmën tonë për ekipin e futbollit në këto momente”, pyeti Isaji.

Kryebashkiaku 

“Ne jemi në një proces gjyqësor për momentin, ku, për fat të keq, një nga ortakët e kompanisë që bleu aksionet ka ndërruar jetë. Nuk mund të japim asnjë para pa mbaruar më parë procesi gjyqësor. Është shumë e thjeshtë si çështje, sepse në një pikë të kontratës thotë se nëse nuk i paguan paratë brenda afatit, ndërpritet automatikisht kontrata. Kështu që, është vetëm çështje kohe kjo gjë.

Të rikalojnë aksionet te ne dhe të regjistrohemi në QKR, t’i drejtohemi Këshillit Bashkiak për të dhënë një kontribut më pas, sado minimal. Së dyti, dua t’iu njoftoj se nëse unë nuk veproja për të marrë përsipër shpenzimet e këtij ekipi, ai nuk mund të merrte dot pjesë në kampionat. I kam dorëzuar FSHF-së një garanci, duke ditur interesin për këtë çështje dhe jam shumë i interesuar që të mbarojë një orë e më parë procesi gjyqësor. Me një takim besoj mbyllet, pasi edhe pjesa tjetër e ortakëve që e blenë janë gati për ta lëshuar, sepse edhe atyre u janë prishur planet dhe projektet që kishin.

Me sa duket, nuk qe e thënë që ne ta gëzojmë shpejt këtë punë. Njëkohësisht, jemi duke u munduar që me t’i marrë aksionet, të gjejmë blerës të tjerë, meqenëse është rritur edhe interesi kombëtar për klubet e futbollit. Kemi kërkesa, por aktualisht nuk kemi letrat”, sqaroi Sejdini gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak të Elbasanit. Elbasani ia doli të ngjitej nga Kategoria e Dytë në të Parën në fund të sezonit të kaluar, por duket se e pret një kampionat i vështirë.

Verdheblutë kanë në përbërje kryesisht lojtarë të rinj, ndërsa kanë pësuar dy humbje në po kaq ndeshje. Verdheblutë do të duhet të luftojnë për mbijetesën në Kategorinë e Parë, pasi nuk bëhet fjalë për të pretenduar ngjitjen në elitë. Bashkia dhe Arben Laze janë sërish aksionerët e klubit të Elbasanit.

VLADIMIR MEMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"