Kryebashkiaku merr “frenat” e Tomorit, Demo: Me Sinellën bëjmë historinë, ngjitemi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2021 | 20:51

Kryebashkiaku merr “frenat” e Tomorit, Demo: Me Sinellën bëjmë historinë, ngjitemi!

Kryebashkiaku merr “frenat” e Tomorit. Heshtjes së stërgjatë i erdhi fundit dhe dita-ditës beratasit po marrin formë. Pasi rikonfirmoi Bledar Sinellën si trajner, Ervin Demo nisi bisedimet edhe me titullarët për rinovimet.

demo

Punë do të ketë boll, por presidenti nuk ka në plan që të dorëzohet pa realizuar misionin: ngjitjen në elitë. As që ka ndërmend që të tërhiqet nga premtimi që pati bërë dhe troç e thotë: “100-vjetori i klubit do të na gjejë në Kategorinë Superiore”. Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i bashkisë zbulon arsyen pse ktheu në detyrë teknikun kavajas, si edhe planin për sezonin 2021-2022.

“Si qytetar i parë i Beratit, por edhe si sportdashës i hershëm i Tomorit, e kam obligim që ta kthej ekipin në nivele të larta. Ky është një klub me traditë dhe meriton shumë më shumë, ndaj do të bëjmë çmos që të realizojmë misionin tonë. I qëndroj stoik premtimit që kam bërë qysh në momentin kur u ula në poltronin e kryebashkiakut: të ngjis ekipin në elitë. Do të bëj maksimumin për t’i shërbyer rikthimit të skuadrës në nivelin e traditës dhe historisë 99- vjeçare, pasi duam që 100-vjetori të na gjejë aty ku na takon. Unë do ta përmbush këtë detyrim që kam ndaj bashkëqytetarëve të mi, të cilët janë aq shumë të apasionuar pas futbollit.

Tomori

Kemi nisur ndërkohë nga puna për t’i dhënë jetë këtij projekti ambicioz dhe dëshirës 9-vjeçare të tifozërisë sonë. Po investojmë Tomorin që do të synojë rikthimin në Superiore dhe për këtë arsye nuk e pata aspak të vështirë t’ia besoja këtë projekt një trajneri model dhe shumë profesionist si Bledar Sinella. Ai sezonin e kaluar la gjurmë me punën e tij dhe e meritonte rinovimin e kontratës. Unë jam shumë i sigurt, që ai do të shkruajë me shumë dinjitet emrin e tij në librin e historisë së futbollit beratas. Jo vetëm që do e shohim Tomorin në elitë në këtë vit jubilar, por do të përkujdeset për të ardhmen e ekipeve zinxhir”, përfundoi numri një i bashkisë, që ka edhe statusin e presidentit te Tomori. Tashmë e vetmja gjë që pritet është organizimi i skuadrës dhe mbi të gjitha nisja e fazës përgatitore për sezonin 2021-2022.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"