Kryebashkiakja prezanton trajnerin numër “4” te Lushnja, Dalipi: Do të shpëtojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2023 | 16:34

Kryebashkiakja prezanton trajnerin numër “4” te Lushnja, Dalipi: Do të shpëtojmë

Zyrtarizohet Klevis Dalipi. Dje në mesditë në fushën sportive të Plugut, ka zbarkuar vetë kryebashkiakja Eriselda Sefa për ta prezantuar trajnerin e ri të Lushnjës. Elbasanasi do të drejtojë verdhejeshilët për pjesën e dytë të sezonit, me të vetmin mision: shpëtimin e ekipit nga rënia në nivelin e tretë.

dalipi sefa

“Erdha që të prezantoj trajnerin që do t’ju drejtojë tani e në vazhdim, Klevis Dalipin. Besoj që të gjithë e njihni. Shpresoj që me Klevisin do të kemi një ringritje të ekipit. Jo vetëm që të mos rrezikojmë rënien nga kategoria, por pse jo, të kemi ekip që donim të gjithë që në fillim të sezonit. Kam një falënderim shumë të madh për Hasallën, i cili ka mbajtur një ngarkesë në këtë periudhë.

Ka qenë ai në krye të pankinës dhe do të jetë patjetër ndihmësi i Klevisit. I urojmë shumë suksese stafi teknik dhe ju të gjithëve. Në ndeshjet e radhës shpresojmë që të kemi trepikëshat, ashtu siç doni ju, por duam edhe ne”, deklaroi kryetarja e Bashkisë Lushnjë, njëherësh edhe presidente e klubit.

DALIPI – Nuk kishte si të mos fliste edhe Klevis Dalipi, i sapoemëruar. Ai e pranon që është para një sfide të vështirë, por jo e pamundur. “Faleminderit kryetare! Në radhë të parë dua t’ju falënderoj juve që bëtë të mundur afrimin tim pranë skuadrës me traditë në futbollin shqiptar. Ne e dimë shumë mirë që situata është e vështirë, megjithatë unë jam njeri i sfidave dhe më pëlqen kur bëhet fjalë për skuadra tradite, siç është dhe skuadra e Lushnjës.

Është ‘privilegj’ të punosh me këtë skuadër, në këtë qytet, me këta njerëz dashamirës që e mbështesin skuadrën dhe ju. Jo pa qëllim ju citova që jeni një nga personat që i keni qëndruar gjithmonë pranë ekipit. Uroj që të bëjmë më të mirën. Nga unë do të ketë shumë punë, përkushtim, disiplinë. Disa nga lojtarët që janë këtu të pranishëm e dinë dhe e njohin karakterin tim. Jam i disiplinës, e premtoj, por dhe besoj që disiplina do të karakterizojë ekipin tonë. Kjo është absolute. Tifozëria e ka mbështetur gjithmonë ekipin. Tifozët janë më të pafajshmit, por dhe ju, që keni qenë shumë korrekte ndaj lojtarëve. Në njëfarë mënyre duhet ta shpërblejmë me punë dhe me rezultate.

Për të shpëtuar skuadrën nga kjo situatë që ndodhemi, do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Ndaj edhe unë erdha këtu, që së bashku me këta djem të rinj, disa edhe me eksperiencë, të japim kontributin tonë për të shpëtuar skuadrën, për t’i dhënë kënaqësi tifozërisë që edhe në momente jo të mira ka qenë e shumtë në stadium. Uroj të na shkojë mbarë ky vit dhe të çojmë skuadrën e Lushnjës aty ku i takon”, deklaroi trajneri Dalipi.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"