Kryebashkiakja në dilemë, te Vllaznia ka presione për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2018 | 14:56

Kryebashkiakja në dilemë, te Vllaznia ka presione për trajnerin

Ende asnjë vendim për trajnerin dhe drejtorin sportiv të skuadrës. Megjithatë, kjo nuk ka penguar drejtuesit e klubit që të marrin vendim për të thirrur në stërvitje ditën e hënë lojtarët, të cilët janë në kontratë me klubin. Si për paradoks, 19 ekipet pjesëmarrëse në kampionatin e Kategorisë së Parë për sezonin 2018-2019, prej ditësh kanë nisur përgatitjet dhe e vetmja skuadër që s’e ka bërë ende këtë gjë është Vllaznia.

vllaznia

Diçka absurde në fakt, por ky është realiteti. Një vonesë e tillë e stërzgjatur e nisjes së stërvitjes kryesisht ka ardhur nga mosemërimi ende i stafit të ri teknik. Një proces që ka zgjatur më shumë sesa duhet, por që me shumë mundësi do të marrë zgjidhje deri në fund të kësaj jave në mënyrë që ditën e hënë skuadra të nisë stërvitjen. Burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se aktualisht nën kontratë janë rreth 25 futbollistë, të cilët do të vihen menjëherë në dispozicion të trajnerit të ri për të nisur punën. Titullarët që priten të dalin në stërvitje janë Sherri, Gocaj, Bardulla, Krymi, Gurishta, Hajdari dhe të tjerë. Gjithashtu, pritet që të dalin në stërvitje edhe disa të rinj si Isufi, kapiteni i Vllaznisë B, por edhe shumë lojtarë që kanë qenë pjesë e dy ekipeve.

PRAPASKENAT – Vonesa në lidhje me vendimin për trajnerin e ri dhe drejtorin sportiv të skuadrës po kalon çdo limit. Më pak se një muaj nga starti i kampionatit, duket se në Shkodër ka shumë probleme në lidhje me emërimin e drejtuesve teknikë. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë të ditur se administratori i ri, Suad Lici, kishte mbyllur gjithçka në lidhje me trajnerin dhe drejtorin teknik ku Hasan Lika do të ulej në stol, ndërsa Agim Canaj do të bënte rolin e drejtorit sportiv. Por, duket se lajmi i publikuar në gazetën “Panorama Sport” pak ditë më parë që zbuloi se Lika do të ishte trajneri i ri, ka krijuar shumë pakënaqësi.

Fraksione të ndryshme në Shkodër janë duke ushtruar presion të madh te kryebashkiakja dhe njëkohësisht presidentja e Vllaznisë, Voltana Ademi për sa i përket emërimit të trajnerit. Mësohet se Ademi është në dilemë në lidhje me vendimin që do të marrë dhe ky është edhe shkaku kryesor që përzgjedhja e trajnerit dhe drejtorit të ri teknik po kalon çdo limit. Gjithçka është në dorë të kryebashkiakes Ademi për të vendosur se kush do të ulet në stolin e skuadrës kuqeblu për ta drejtuar në kampionatin e ardhshëm të Kategorisë së Parë ku synimi do të jetë rikthimi në elitë. Pas disa ditësh, skuadra do të njihet edhe me kalendarin e kampionatit. Pas 53 vitesh, Vllaznia do të luajë në Kategorinë e Parë, pasi nuk mundi të mbijetonte në Superiore në kampionatin e kaluar. Pritet që skuadra e sezonit të ardhshëm të përbëhet kryesisht nga lojtarë vendës dhe të akademisë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"