Kryebashkiakja e Lushnjes e shkarkoi pas fitores, reagon Gjyla: U takova dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2021 | 11:35

Kryebashkiakja e Lushnjes e shkarkoi pas fitores, reagon Gjyla: U takova dhe…

Lushnja mbetet pa trajner. Kryebashkiakja Eriselda Sefa shkarkon Ilir Gjylën. Fill pas mbylljes së fazës së parë, presidentja e klubit ka marrë vendimin për teknikun dhe jo vetëm atë.

Ilir Gjyla Lushnja

Ecuria skandaloze që verdhejeshilët kishin për pjesën e parë të sezonit, ka detyruar kryetaren që të largojë nga detyra kreun e pankinës, zv.trajnerin Dritan Çuko dhe administratorin Edison Koçi. Këtë lajm e ka njoftuar vetë Bashkia Lushnjë me anë të një komunikate në profilin zyrtar në “Facebook”. Pasi japin shkakun, paralajmërojnë se klubi do të pësojë riorganizim.

“Ju bëjmë me dije se kryetarja e bashkisë, znj.Eriselda Sefa, dhe njëkohësisht presidentja e klubit të futbollit Lushnjë, shkarkoi nga detyra dy trajnerët Ilir Gjyla dhe Dritan Çuko si dhe shefin e klubit, Edison Koçi, për rezultate të dobëta të ekipit në fazën e parë. Së shpejti do të ketë një organizim të ri të ekipit të futbollit”.

REAGON “THATË” TRAJNERI

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Ilir Gjyla është shfaqur më shumë se i kursyer. Nuk ka dashur që të zgjatet në deklaratën e tij, por thjesht pranoi se e kanë shkarkuar.

“Kam pasur dje një takim me kryetaren e bashkisë, e cila më ka komunikuar shkarkimin”, tha tekniku. Ai nga dje mori statusin e ish-it dhe ndoshta në vazhdim mund të flasë pa “filtra”, sikundër ka bërë gjithnjë.

ÇUDIA ME SHKARKIMIN

Duket disi e çuditshme në fakt, që verdikti u mor pasi ekipi u “zgjua”. Edhe pse kishin 60 ditë që vuanin për të gjetur pikët e plota e golat dhe hera-herës lojtarët janë vënë në shënjestrën e vetë Ilir Gjylës, shkarkimi vjen pas fitores 4-1 me Shkumbinin.

Ndoshta kryebashkiakja e ka parë të udhës që këtë lëvizje ta bëjë në mes të sezonit dhe t’i japë kohë stafit të ri teknik që të punojë me grupin e të jenë gati për fazën e dytë.

Gazeta u interesua për pasardhësin, por qartazi u tha që ende nuk ka asnjë kandidaturë konkrete dhe në vazhdim do të merren me këtë çështje.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Lushnja fitoi më në fund, por kryebashkiakja shkarkon trajnerin Gjyla me motivin se…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"