Kruja në këmbë, drejtuesit shpërblim për kokën e Tiranës, drejtori Vogli: I thyejmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2018 | 15:28

Kruja në këmbë, drejtuesit shpërblim për kokën e Tiranës, drejtori Vogli: I thyejmë!

E gjithë Kruja është në këmbë. I madh e i vogël do të jenë në përkrahje të Kastriotit për finalen që do të luajnë sot përballë Tiranës. Të gjithë duan trofeun e Kategorisë së Parë, ndaj edhe drejtuesit janë mobilizuar për të karikuar ekipin. Drejtori sportiv, Gazmend Vogli, së bashku me stafin teknik dhe presidencën, u bëjnë thirrje tifozëve për mbështetje maksimale.

kastrioti-e1523724542282

Në një prononcim për gazetën, drejtori sportiv ka besim maksimal te forca e ekipit të tij dhe është mjaft optimist që kupën do e bëjnë të tyren. “Kjo është një finale që merr një specifikë ndryshe, pasi përballë do të kemi Tiranën, ekipin më të titulluar në Shqipëri. Por vetëm kaq, pasi sa i përket fushës Tirana s’ka bërë asgjë më shumë se ne këtë sezon, madje ne kemi bërë një kampionat të shkëlqyer, ndoshta dhe më pozitiv se ata.

Kastrioti-2-470x264

Morali në kampin tonë është i lartë, mbizotëron vetëm optimizmi për t’u shpallur kampionë, gjendja në ekip është e shëndoshë dhe janë të gjithë lojtarët të disponueshëm pa asnjë dëmtim ose mungesë kartonësh. I kemi dhënë kësaj sfide rëndësinë e duhur dhe ekipin nga e hëna e kemi grumbulluar në Krujë ku do të qëndrojmë deri nesër (sot) në mëngjes e më pas do të zhvendosemi drejt Elbasanit, duke qenë që distanca s’është e largët.

Është menduar jo i nevojshëm udhëtimi një ditë ose dy ditë përpara, siç kanë bërë kundërshtarët tonë në këtë finale. Nga ana tjetër, presidenti na ka premtuar zarf të bardhë, nëse triumfojmë në finale, e cila është dhe një shtysë më tepër për çunat që të japin më shumë se 100 për qind nga repertori i tyre.

nikaj kruja

Atmosfera është e lartë, pavarësisht se ne si staf mundohemi t’i mbajmë larg zhurmës futbollistët, në mënyrë që të jenë sa më të qetë po vetvetiu atmosfera e finales ndihet. Për sa i përket takimit, them se i kemi menduar dhe provuar të gjitha deri te penalltitë, pasi ndeshja mund të vendoset edhe prej tyre. Nuk duam që t’i lëmë asgjë në dorë rastësisë.

Gjithsesi, si do që të jetë rezultati i kësaj finaleje, ne jemi krenarë e na duhet të falënderojmë futbollistët tanë, trajnerin Nikaj dhe stafin e tij, e mbi gjitha presidentin për arritjen e deritanishme”, përfundoi drejtori sportiv.

LIRIDON PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"