Kros zyrtarizohet sot në 17:00, Reali do paguajë 30 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2014 | 15:50

Kros zyrtarizohet sot në 17:00, Reali do paguajë 30 milionë euro

Toni KrosSot, prej orës 17:00, Toni Kros do të jetë zyrtarisht një futbollist i Realit të Madridit. Ai do të firmosë një kontratë 5- vjeçare, nga e cila do të fitojë 6 milionë euro në sezon. Mesfushori gjerman ka fluturuar drejt Majorkës një ditë më parë për të pushuar disa ditë dhe firmosur me skuadrën e re, duke e konfirmuar personalisht për “AS” transferimin te kampionët e Europës. “Të enjten, ose të premten do të jem në Madrid. Jam shumë i lumtur. Si nuk mund të jem që do vij në një klub si Reali, pasi fitova kampionatin botëror me Gjermaninë?!”, – deklaroi 24-vjeçari për reporterin e gazetës madrilene. Në arkat e Bajernit do të derdhen 30 milionë euro, ndërsa 48 orë më parë shefi i klubit Rumenige konfirmoi se në vitin e fundit të kontratës, Bajerni nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta shiste talentin e saj. Një gjerman për mesfushën e Karlo Ançelotit vjen dhe një tjetër kampion bote do t’i lërë vendin. Edhe Sami Khedira pritet vetëm të zyrtarizohet tek Arsenali. Agjenti i tij tha mbrëmë se “topçinjtë” nuk kanë kontaktuar ende me të, por sipas “Marca”, marrëveshja mes klubeve është arritur për shumën e 25 milionë eurove. Problemi i vetëm është paga e lojtarit. Duke qenë se Khedira sezonin e ardhshëm mund të negociojë me një klub për transferimin me parametra zero, ai kërkon 7 milionë euro rrogë neto në vit në “Emirates”. Deri tani, Arsen Venger ka ngurruar që t’ia plotësojë mesfushorit një kërkesë të tillë, por nuk pritet të bëjë shumë rezistencë, pasi e do atë me çdo kusht në skuadër. Me mbylljen e marrëveshjes për Toni Krosin, është vetëm çështje orësh që të zyrtarizohet edhe ajo e transferimit të gjermanit të pestë në skuadrën londineze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"