Kronologjia/ Orë tensioni Madrid-Paris, ja prapaskenat e bisedimeve për Kilië Mbapenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 12:39

Kronologjia/ Orë tensioni Madrid-Paris, ja prapaskenat e bisedimeve për Kilië Mbapenë

Telenovela “Kilië Mbape” do të përfun dojë vetëm kur të mbyllet merkatoja (sot 23:59), por deri mbrëmjen e djeshme palët arritën në një pikë që nuk ka marrëveshje. Ka qenë një ditë e tensionuar, me bisedime të shumta, oferta dhe refuzime ajo që lidhte Parisin dhe Madridin. Lojtari ka pritur i qetë në qendrën stërvitore të Francës të gjitha zhvillimet, por në orët e vona u raportua se Reali i Madridit u tërhoq nga tryeza e bisedimeve. Arsyet dhe shkaqet e këtij vendimi nuk dihen, por kjo nuk do të thotë se ka përfunduar. Sot mund të ketë hapje të negociatave.

mbape

10:20/ REFUZIMI – Bomba e ditës së djeshme ndodhi që paradite, kur u publikua lajmi se PSG-ja ka refuzuar ofertën dhe nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë Mbapenë për 180 milionë euro. Gjithçka dukej e zymtë dhe pas 2 golave të shënuar nga ana e lojtarit kundër Reimsit, shanset ishin që të mos ndodhte ky transferim.

10:40/ KËMBËNGULJE – Ndërkohë që PSG-ja nuk do ta pranonte ofertën e Realit, sulmuesi Kilië Mbape ishte i qartë me ekipin e tij. Përpara se të shkonte në grumbullimin e kombëtares franceze, ai ua bëri të qartë drejtuesve të skuadrës se nuk ka ndërmend që ta rinovojë kontratën. Ose PSG-ja do të pranonte ofertën dje, ose në të kundërt do të ikte si futbollist i lirë në fundin e sezonit.

11:08/ Qetësi – Nuk kishte shumë lajme rreth paradites për këtë çështje. Mediat i kushtuan edhe një hapësirë të rëndësishme debutimit të Leo Mesit. “Nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Të presim”, ishin fjalët e Markinjosit. Ndërkohë, Mbape duhet të paraqitej në 13:00 në qendrën stërvitore të Francës.

12:21/ S’KA ZËVENDËSUES – Nga momenti i djeshëm kishin mbetur edhe 36 orë deri në fundin e merkatos dhe skuadra e PSG-së kishte marrë vendimin për të mos gjetur zëvendësues për të. Pavarësisht faktit se Reali do të ofrojë 180 milionë euro, nuk duket se francezët kanë shumë mundësi për të gjetur një futbollist që do të zinte boshllëkun e tij.

12:45/ ME KOMBËTAREN – Tashmë ka kaluar gjysma e ditës më të rëndësishme të merkatos. Mbape ndodhet në qendrën stërvitore të Francës nën urdhrat e Deshamp. Nëse do të arrihet akordi, ai do t’i kryejë vizitat mjekësore pikërisht në grumbullim.

13:15/ PESIMIZËM – Mediat franceze raportojnë se në Spanjë ka pesimizëm për transferimin e Mbapesë. Pas lajmit të publikuar nga “MARCA” se Parisi nuk pranon ofertën, Reali u tremb.

13:28/ KIA JORABÇIAN – Do të ketë shumë punë ndërmjetësi iranian Kia Jorabçian, i cili është shndërruar në njeriun kryesor të kësaj marrëveshjeje. Ai lëviz mirë në negociatat e tensionuara për të relaksuar palët.

14:15/ ULTIMATUMI – Reali vendosi ultimatum për PSG-në që duhet të përgjigjej brenda orës 18:00 në lidhje me ofertën e bërë 170+10 milionë euro.

14:35/ NEGOCIATAT – Dy klubet kanë nisur të flasin për të gjetur një zgjidhje në lidhje me transferimin e Kilië Mbapesë. Fakti që ka negociata është diçka e mirë për të gjithë. Sigurisht që qëndrimi i PSG-së është i ashpër.

14:50/ DUHEN 200 MLN – Dalin detaje të tjera nga ne gociatat. PSG-ja nuk ka ndërmend që të pranojë oferta nën 200 milionë euro. Nuk dihet për momentin nëse Reali do të rrisë ofertën.

15:22/ VJEN BENZEMA – Edhe Karim Benzema ka mbërritur në qendrën stërvitore të kombëtares franceze. Sigurisht që do të shërbejë për të shtyrë Mbapenë drejt Realit.

16:19/ S’KA FANELLA – Në mënyrë të pakuptueshme dhe të befasishme është zhdukur fanella e Mbapesë nga dyqani zyrtar i PSG-së. Nuk dihet ende pse u mor ky vendim.

16:30/ RRITET OFERTA – Sipas “Sky Sports”, Reali po mendon seriozisht që të ofrojë 200 milionë euro për të bindur PSG-në që ta lërë të lirë Mbapenë. Formula e ofertës do të jetë 170+30 milionë.

17:40/ “JAM I QETË” – Kamerat e “Chiringuito”-s kanë kapur Mbapenë gjatë grumbullimit me Francën. “Jam i qetë. Jam mirë”, ishin fjalët e tij.

17:51/ AL KHELAIFI – Sipas gazetarit dhe ekspertit të merkatos Fabrizio Romano, klubi i PSG-së është i përçarë. Presidenti Al Khelaifi nuk dëshiron ta largojë Mbapenë, ndërsa drejtuesit e tjerë shtyjnë për largimin.

18:15/ SHTOHET BESIMI – Në orët e pasdites Reali ishte optimist se çështja do të mbyllej shumë shpejt. Emiri i Katarit ishte gati të pranonte një ofertë më të rritur.

18:30/ NUK STËRVITET – Franca ka kryer ditën e djeshme stërvitjen e parë, por Mbape nuk ishte nën urdhrat e trajnerit Deshamp. Gjithashtu, nuk u stërvitën Varan dhe Grizman, që luajtën dje me ekipet e tyre.

18:55/ PSG MERR KOHË – Sipas lajmeve të mbrëmjes, ekipi i PSG-së po merrte kohë dhe nuk ktheu një përgjigje përfundimtare për ofertën e Realit sepse po kërkon një zëvendësues për Mbapenë.

19:15/ TËRHIQET REALI – Lajm i pabesueshëm dhe i pakuptueshëm. Reali i Madridit është tërhequr nga tryeza e bisedimeve për transferimin e sulmuesit francez, por asgjë nuk është e përjashtuar derisa të mbyllet merkatoja.

20:00/ 200 MILIONË – Gazeta franceze “L’Equipe” raporton se Reali ishte gati të bënte një ofertë afro 200 milionë euro për sulmuesin Mbape, por PSG-ja sërish i ka refuzuar.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"