Kroatët janë gati për Rusinë, Modriç: Kam pësuar shumë zhgënjime me kombëtaren, dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 20:58

Kroatët janë gati për Rusinë, Modriç: Kam pësuar shumë zhgënjime me kombëtaren, dua…

Tjetër oksigjen thithet në shtëpinë e Kroacisë pas penalltive dramatike në fitoren kundër Danimarkës në 1/8-at. Një lojtar më shumë se të tjerët, ylli i skuadrës, i cili më në fund largoi fantazmat e Euro 2008 në Vjenë 10 vite më parë. Luka Modriç është magjistari që prej prekjes së tij të topit, Kroacia shpreson shumë.

luka-modric

Presioni për brezin e tij është i madh, veçanërisht për të. “Prej 2008-ës nuk kemi shkuar përtej 1/8-ave dhe është shumë e rëndësishme që ta prishim këtë traditë”, tha mesfushori i Realit për “FIFA.com”, i cili humbi penalltinë e parë në humbjen e ballkanasve ndaj Turqisë një dekadë më parë. “Kemi siguruar një rezultat të shkëlqyer pas shumë vitesh përpjekjeje. Kam përjetuar shumë humbje gjatë këtyre 10 viteve në kombëtare, veçanërisht ajo ndaj Turqisë dhe Portugalisë (Euro 2016). Këtë herë na u desh pak fat, por mendoj se e merituam”.

Por çfarë pret ish-talenti i Totenhemit nga Rusia? “Pres të njëjtën taktikë të tyre si kundër Spanjës. Janë një rival shumë i parehatshëm, vrapojnë shumë dhe janë të mirorganizuar. Meritojnë të jenë në çerekfinale dhe me siguri do shfrytëzojnë shansin e tyre të shkojnë më larg. Të jesh në këtë Kupë Bote, është një privilegj i madh. Të luash për skuadrën tënde, është nder dhe kënaqësi e madhe, por të fitosh Kupën e Botës me Kroacinë, është gati e paimagjinueshme, përralla më e bukur! Do ishte e pabesueshme ta ngrije trofeun si kapiten”.

Luka-Modric-0

LOVREN – Ndërsa mbrojtësi i Liverpulit, Dejan Lovren, mendon se skuadra e Daliç ka të njëjtin shpirt që dërgoi anglezët deri në finalen e Champions-it këtë sezon: “Nuk është e njëjta skuadër dhe taktikë, por i njëjti shpirt i Liverpulit. Por në fillim duhet ta respektojmë Rusinë. Ata eliminuan Spanjën dhe e bënë me meritë”.

modric

PERISIÇ – Ndërsa Ivan Perisiç premton se Kroacia do të jetë gati për secilën taktikë që do të përdorë Rusia: “I kemi parë thuajse të gjitha ndeshjet e tyre. Ndaj Spanjës përdorën tjetër skemë. Iu përshtatën rivalit dhe mendoj se bënë gjënë e duhur. Por ne do të jemi të përgatitur për të dyja versionet”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"