Kroacia step Brazilin, jo arbitrin dhe Nejmar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2014 | 9:33

Kroacia step Brazilin, jo arbitrin dhe Nejmar

Nejmar puth topinVerdikti final nuk është skandaloz, por e vërteta është që Brazili pa ndihmën e arbitrit Nishimura dukej e vështirë që ta fitonte ndeshjen. Një penallti e dyshimtë për pak, por inekzistente për pjesën më të madhe të sportdashësve ndryshon fatin e një takimi që po projektohej drejt një barazimi 1-1 deri në mesin e pjesës së dytë, ndonëse në fund tabela elektronike do të tregonte shifrat finale 3-1. “Seleçao” e nis me fitore Kupën e Botës në shtëpi, por nga ana tjetër kroatët protestojnë me të drejtë, ndonëse me lojën e djeshme vendi i dytë për ta nuk duket një vegim, por një objektiv më se i mundshëm. Për sa i përket Brazilit, Nejmar shkëlqen, edhe Oskar gjithashtu, por për sa i përket organizimit në fushë, trajneri Skolari e ka kuptuar qartë se ka ende shumë gjëra për të kolauduar në formacionin e tij.

BRAZIL-KROACI  3-1
GOLAT: Nejmar 29′, 71′ (p), Oskar 91′ / Marselo 11′ (a)
BRAZILI (4-2-3-1) Hulio Sezar; Daniel Alvesh, Tiago Silva, David Luiz, Marselo; Paulinjo (63′ Hernanes), Luis Gustavo; Hulk (68′ Bernard), Oskar, Nejmar (88′ Ramires); Fred. Trajner: Luiz Felipe Skolari
KROACIA (4-2-3-1) Pletikosa; Srna, Korluka, Lovren, Vrsaljko; Modriç, Rakitiç; Perisiç, Kovaçiç (61′ Brozoviç), Oliç; Jelaviç (78′ Rebiç). Trajner: Niko Kovaç
KARTONËT TË VERDHË: Nejmar 27′, Gustavo 88′ / Korluka 65′, Lovren 69′
GJYQTAR: Juishi Nishimura (Japoni)
SPEKTATORË 62.098

Frikë dhe reagim – Botërori i 20-të nis në mënyrën e duhur, plot surpriza dhe emocione, por për të zotët e shtëpisë janë nga ato që të tronditin. Brazili ngatërron fillimisht hapat e “sambës” dhe e sheh veten nën trysninë sulmuesve të Kroacisë. Oliç dhe Perisiç trembin jo pak zonën e rreptësisë, me topa të gjatë që përhapin panik te Tiago Silva me shokë, panik që në minutën e 11-të do ta shtyjë Marselon të devijojë gabimisht në rrjetën e tij, pasimin e fortë të Oliçit nga e majta. Portieri Hulio Sezar tradhtohet nga shokët e repartit, tifozët frikësohen, por Brazili zgjohet nga gjumi, pas disavantazhit. Nuk kalojnë as dy minuta dhe Fred e Nejmar humbin një mundësi të artë për të barazuar, pasi nuk besojnë te krosimi i saktë i Oskarit në zonën e portierit, ndonëse tani e në vazhdim do të luhet vetëm në 55 metrat kroate. Alvesh dhe Marselo nisin të lëshojnë krosime me breshëri në zonë, por Brazili nuk shquhet për lojën në ajër dhe aksionet dështojnë. Nejmar nervozohet me shokët e tij dhe i shfryn nervat me një bërryl ndaj Modriçit, por “Seleçao” lufton dhe goli i barazimit ndihet në ajër, edhe pse portieri Pletikosa bën dy ndërhyrje magjike, ndaj goditjeve magjike të Oskarit. Gjithsesi, këmbëngulja do të shpërblehet, në minutën e 29- të, kur Nejmar, ylli i formacionit të Skolarit, do të bëjë gjithçka vetë dhe nga jashtë zone, do të lëshojë një diagonale perfekte që tund rrjetën. Brazili barazon, tifozët besojnë te përmbysja e menjëhershme, por Hulk brenda zonës dhe goditja e dënimit aspak perfekte e Nejmarit mbyllin 45 minutat e para në shifrat 1-1.
“Bilbili” i Nishimuras – Pjesa e dytë nis pa zëvendësime, por ritmi i lojës është i vakët, sepse Kroacia ofron një zotërim topi të mirë dhe i lejon pak prekje Brazilit. Skolari nuk është i kënaqur nga të tijtë dhe vendos të shtojë dozën sulmuese, duke hedhur në fushë Hernanesin në vend të Paulinjos dhe Bernardin për Hulkun dhe menjëherë “Seleçao” bëhet edhe më e paparashikueshme. Në minutën e 24-t Fred kërkon një penallti me të drejtë, pas një faulli të Lovren, por ndërsa arbitri japonez Nishimura injoron këtë ndërhyrje, ai shlyen “borxhin” 120 sekonda më pas, duke i akorduar një penallti shumë të dyshimtë Fredit, sërish pas një kontakti me Lovren. Kroatët protestojnë më kot dhe nga pika e bardhë Nejmar nuk dështon, ndonëse Pletikosa e prek sferën, por s’e ndalon. Të zotët e shtëpisë festojnë avantazhin, ndërsa Nejmar nuk zhgënjen parashikimet e sfidës. Brazili kontrollon lojën dhe rrezikon barazimin, me kroatët që shënojnë, por fillimisht shkaktuan faull ndaj portierit Sezar. Gjithsesi, për të zhdukur të gjithë frikën mendon Oskar, në të 91-ën minutë, me një goditje nga jashtë zone, që mund Pletikosan për herë të tretë. Brazili e nis me fitore, por nuk bind totalisht dhe as arbitri Nishimura madje…

nishimuraGjyqtari japonez, montazh në “Statuja e Krishtit”
Gjyqtarin japonez, Yuichi Nishimura është në qendër të vëmendjes nga të gjitha mediat botërore. Gjykimi i japonezit është kontestuar nga përfaqësuesja e Kroacisë, e cila pretendon se është dëmtuar rëndë në ndeshjen ndaj Brazilit, të cilën e fituan vendasit me rezultat 3-1. Në disa media të huaja, fotografia e Nishimuras është bërë montazh në Statuja e Krishtit, e cila është e vendosur në Rio de Janeiro. Kurse, në një fotomontazh tjetër, fotografia e gjyqtari japonez është vendosur në përfaqësuesen e Brazilit.

penalltiaPenalltia e dyshimtë e Fred
Në minutën e 24-t Fred kërkon një penallti me të drejtë, pas një faulli të Lovren, por ndërsa arbitri japonez Nishimura injoron këtë ndërhyrje, ai shlyen “borxhin” 120 sekonda më pas, duke i akorduar një penallti shumë të dyshimtë Fredit, sërish pas një kontakti me Lovren. Kroatët protestojnë më kot dhe nga pika e bardhë Nejmar nuk dështon, ndonëse Pletikosa e prek sferën, por s’e ndalon.
Kovaç: Ishte cirk, jo futboll  Trajneri i Kroacisë, Niko Kovaç, ka deklaruar pas ndeshjes se në fushë pati cirk dhe jo futboll. “Brazili e meritoi fitoren, sepse luajti shumë mirë, por ama Brazili nuk ka nevojë për ndihma të tilla nga gjyqtarët. Nuk më pëlqen që t’i akuzoj arbitrat, por ky i sotmi (djeshmi) nuk ishte në nivelin dhe në kategorinë e kësaj ndeshjeje dhe për pasojë shkatërroi gjithçka. Kur ndeshjen e vendos arbitri, nuk bëhet fjalë për futboll, por për cirk… FIFA ka si slogan të vetin ‘fair play’-n, por duhet të ketë parasysh se kjo vlen për të dyja skuadrat në fushë dhe jo vetëm për një”, – tha Kovaç pas ndeshjes.

“Golin tim ia dedikoj Skolarit dhe kritikëve”
Fakti që i ka zënë vendin në formacion Uillianit, irritoi shumë prej specialistëve të futbollit brazilian, por me ndeshjen e djeshme Oskar ka fituar bastin e tij dhe ka shpëtuar madje edhe trajnerin Skolari: “Nuk mund të them që kemi bërë një start pozitiv, por në të tilla evenimente është e rëndësishme ta nisësh me fitore. Ne ia dolëm dhe jemi krenarë për këtë, sepse do të kemi kohë për të korrigjuar gabimet e bëra. Një dedikim për golin? Pa dyshim trajnerit Skolari, i cili ka besuar gjithmonë tek unë dhe kritikëve të mi. Unë kam ardhur në këtë grup për të dhënë kontributin tim dhe mendoj se e bëra më së miri ndaj Kroacisë”.

“Shënova golin e parë, por në portën e gabuar”
Mbrojtësi i Brazilit dhe i Realit të Madridit nuk e ka nisur siç duhet Botërorin 2014, por Marselo kërkon ta marrë me ironi këtë gjë dhe premton se do ta shlyejë këtë gabim. “Më vjen mirë që jam unë autori i golit të parë në këtë eveniment, por fatkeqësisht e dërgova në portën e gabuar. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo, por kurrsesi nuk jam dhe s’u demoralizova, sepse ndryshe do i kisha shqetësuar edhe më shumë shokët e mi. Lojë e dobët? Taktikisht ishim mirë, sepse zbatuam ato gjëra që na kërkoi trajneri, ndonëse vend për përmirësime ka. Mirëpo, në Botëror çdo ndeshje luhet si një finale, ndaj gabimet edhe mund të ndodhin”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"