Krizë sulmuesish, por skuadra e Kategorisë së Parë ka “bomberë” në mesfushë dhe mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2023 | 20:34

Krizë sulmuesish, por skuadra e Kategorisë së Parë ka “bomberë” në mesfushë dhe mbrojtje

Vetëm sulmuesit nuk shënojnë në Berat. Si rrallë herë, te Tomori golat po i bëjnë mesfushorët dhe mbrojtësit. Lauren Ismailaj është “bomberi” i ekipit. Mesfushori e ka gjetur 5 herë rrjetën. Pas tij vjen “xholi” Ervis Çaço.

tomori

Mbrojtësi i linjës së djathtë, që luan sa në mesfushë aq edhe në sulm, ka bërë 3 gola. Dy herë ka realizuar një tjetër lojtar i prapavijës, qendërmbrojtësi Klevis Hida. Me një pastaj janë emrat si: Paolo Kasmollari, Plarent Fejzaj, Klaus Alinani, Klevis Shaqe, Mauro Filipe Pinto de Karvalh. Për të plotësuar 16 golat, duhet përmendur edhe David Olaoje.

I vetmi sulmues tipik, por që është i larguar në merkaton e janarit. Kjo panoramë, nuk është fort pezamtuese. Përkundrazi, dëshmon se strategjia e stafit teknik po jep efekt. Loja e Klodian Arbërit është e përqendruar pikërisht te sulmi dhe kjo i jep mundësi lojtarëve që të jenë më pranë portës dhe pse jo ta shënjestrojnë atë. Filozofia e teknikut të Tomorit është mjaft e kuptueshme, pasi aktualisht në punën e tij, i jep përparësi të madhe pjesëmarrjes dhe finalizimit të aksioneve nga i gjithë ekipi. Për “transformimin” që i është bërë ekipit, flet edhe Klevis Hida.

Tomori

Në një prononcim për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi tregon se i motivon trajneri. “Këtë javë duhet të luajmë në bllok. Vetëm kështu mund të shkojmë drejt golit. Po praktikohemi edhe në stërvitje për këtë. Detyrë për të shënuar dhe gjetur rrjetën nuk kanë vetëm sulmuesit te ne, por të gjithë. Ne mbrojtësit kemi për detyrë që të mbulojmë detyrat në prapavijë, por edhe të kontribuojmë në ndërtimin dhe finalizimin e aksioneve.

shperndarja e golave

Ky është një udhëzim i qartë i trajnerit për Tërbunin. Përjashtim nga kjo kërkesë bën vetëm portieri, ne të tjerët duhet të luajmë për të dyja fazat. Në ndeshjen e radhës, do të japim gjithçka në fushë për të fituar. Duam të tregojmë se nuk e meritonim aspak atë humbje të fazës së parë në Pukë, ku jemi ndëshkuar padrejtësisht në fund të takimit. U trajtuam brutalisht në fushën e lojës dhe kjo është mundësia për revansh. Besojmë shumë se fitorja këtë javë do të tregojë qartë se në shtëpi ne nuk diskutojmë asnjë kundërshtar. Kjo vlen edhe për pukjanët”, përfundoi 21-vjeçari.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"