Krizë për pikë, kapiteni Çyrbja shkund Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2018 | 12:04

Krizë për pikë, kapiteni Çyrbja shkund Teutën

Teuta nuk mendon asnjë rezultat tjetër, përveç fitores në takimin me Lushnjën, që do të zhvillohet sot në orën 14:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Kapiteni Arbër Çyrbja flet me vlerësim për lushnjarët, por theksoi se në këtë takim fitorja është detyrim për “djemtë e detit” për ta rinisur me sukses kampionatin.

cyrbja

“Me ndryshimet në janar, skuadra ka një qëndrim tjetër dhe duket se të gjithë kanë fituar besimin e humbur”, tha anësori për “Panorama Sport”.

A ndiheni gati për të ndryshuar marsh në pjesën e dytë të sezonit?

Sigurisht që jemi gati dhe e presim me padurim ndeshjen e parë. Kemi bërë një fazë model në Turqi dhe synojmë të ngjitemi sa më parë në klasifikim, pasi nuk e meritojmë këtë pozicion që kemi.

Si i vlerësoni afrimet në merkato?

Përderisa janë pjesë e ekipit, do të thotë se janë lojtarë cilësorë. Me atë që kam parë në stërvitje, janë entuziastë dhe kanë dëshirë për të treguar veten. Besoj se me afrimet në janar do të bëjmë një kampionat dinjitoz. Kemi punuar fort për të arritur synimet që kemi.

Duke parë kundërshtarët, ka ende nevojë Teuta për të afruar lojtarë?

Unë besoj te forca e grupit dhe ne jemi një ekip i ri me elementë shumë cilësorë, pavarësisht se në fazën e parë vuajtëm shumë.

Si e shikoni garën për mbijetesë, ku edhe Teuta është e rrezikuar?

Akoma nuk është mbyllur faza e dytë. Ne kemi besim te njëri-tjetri dhe do të dalim shumë shpejt nga kjo situatë. Diferenca është shumë e vogël, mjafton të marrësh 3-4 fitore radhazi dhe kampionati merr një rrjedhë tjetër. Për ne, e rëndësishme është ndeshja e radhës.

Në miqësore jeni aktivizuar si sulmues i dytë, ku ndiheni më mirë?

Roli im natyral është në krah, por nuk e kam aspak problem të aktivizohem aty ku skuadra ka nevojë për mua. E rëndësishme për mua është të jem në fushë dhe të fitojmë.

Partizani ju ka në fokus, e keni menduar largimin nga Teuta, duke qenë se mbani edhe shiritin?

Nuk më pëlqen të merrem me merkaton. Jam i përqendruar vetëm te Teuta dhe dua ta mbyllim sa më mirë kampionatin. Më pas janë drejtuesit ata që vendosin. Sa i përket shiritit, ai është një përgjegjësi edhe më e madhe për mua, por sigurisht edhe kënaqësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"