Krizë për klubin e Kategorisë së Parë, duhet të afrojnë një formacion të tërë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2021 | 9:22

Krizë për klubin e Kategorisë së Parë, duhet të afrojnë një formacion të tërë

Tomori ishte vetëm 90 minuta larg ngjitjes. Edhe pse bëri një supersezon, në fund nuk e realizoi dot misionin. Gjithsesi, ëndrra “Superiore” nuk do të shuhet në Berat. Drejtuesit po mendojnë që të ndërtojnë një ekip dinjitoz edhe për sezonin 2021-2022, për të kapur elitën. Merkatoja do të jetë hapi i parë i klubit, e megjithatë dilemat në këtë drejtim janë të mëdha.

tomori-besa

Duke qenë se kontratat janë sezonale, logjikisht të gjitha kanë skaduar dhe në organikë zyrtarisht nuk kanë asnjë lojtar. A do të ruhet baza e ekipit të vjetshëm a jo, kjo do të qartësohet më tutje. Ajo që bëri përshtypje në edicionin që sapo u mbyll, ishte prezenca e madhe e “jabanxhinjve”. Bënë vërtet një punë për t’u lavdëruar, por nuk dihet nëse do të ndiqet e njëjta filozofi edhe në vazhdim. Mungesa e elementit vendës bëri ndjeshëm përshtypje, aq sa ata mund të numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Si titullar u aktivizuan Ervis Çaço e Sali Kumani (ky i fundit u huazua në janar) dhe duke zëvendësuar emra si Ariel Dobra, Enea Isufi e Daniel Lirëza. Harremi, Kaloshi dhe Shumeli nuk linin asnjë hapësirë aktivizimi për portierin e 4-t Muçogllava.

Pra, me largimin e futbollistëve jabanxhinj të cilët ishin plot 15: Nako, Gava, Kasmollari, Qato, Ruco, Pepa, Canka, Mezini, Kananaj, Barjamaj, Marku, E. Isufi. Duke parë dhe vlerësuar këtë situatë, stafi teknik do ketë jo pak punë për rikompozimin e skuadrës së re. Duke bërë llogari të thjeshta, duhet të afrohet një formacion i tërë. Nëse vërtet duan që të jenë pretendentë, investimi duhet i fuqishëm në verë për të përforcuar ekipin. Me ndryshimin e formulës së kampionatit, gara do të jetë shumë herë më e ashpër. Skuadrës i rikthehen nga huazimi vetëm shumë pak futbollistë që u aktivizuan në të Dytën me ekipe si Naftëtari e Skrapari, ndërsa nga e Para do të rikthehet vetëm mesfushori Hyseni, që luante te Besa. Kjo krizë futbollistësh vendës është pasqyrë e punës keqmenaxhuese që ka bërë klubi disa vite më parë me ekipet e zinxhirit. Tani Tomorit i duhet vit pas viti që të investojë dhjetëra milionë lekë për të afruar futbollistë pa hesap, që në realitet mbushin boshllëqet e organikës së cunguar me vendës.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"