Krizë e thellë pikësh dhe golash, Luftëtari 83 ditë larg fitores. Klubi vendos që…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 10:16

Krizë e thellë pikësh dhe golash, Luftëtari 83 ditë larg fitores. Klubi vendos që…

Luftëtari është në krizë të thellë. Në mungesë të golave dhe pikëve, renditen të parafundit në tabelë. Rreziku për të rënë nga kategoria është më i madh se kurrë, ndaj, nëse duan që të mbajnë shpresat e mbijetesës gjallë, u leverdis vetëm trepikëshi.

Teuta-Luftetari

Përballë Vllaznisë nuk do ta kenë assesi të lehtë, e sidomos kur dihet që gjirokastritëve u mungon fitorja prej 83 ditësh. Që nga 14 shtatori i 2019-ës, pra më shumë se dy muaj e gjysmë përpara, ata nuk po festojnë dot. Asokohe mposhtnin 2-1 Flamurtarin në shtëpi, pas asaj dopiete të Realdo Filit.

Në fakt, kjo është e vetmja ndeshje që kanë dalë triumfues për këtë sezon, pasi në total numërojnë 7 humbje dhe 5 barazime. Me 8 pikë të mbledhura pas 13 javësh, qëndrimi në elitë duket një mision gati-gati i pamundur. Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar. Nëse reagojnë në kohë dhe mbi të gjitha shënojnë ndonjë gol më tepër, shanset janë. Për të mbajtur ekipin larg presionit, në klub e kanë parë të udhës që të vendosin heshtje të plotë për mediat. Askush nuk do të lejohet të flasë deri në një vendim të dytë.

luftetari

STËRVITJA

Përgatitjet e Luftëtarit nuk kanë të ndalur. Nën drejtimin e dyshes Marantas-Novi, grupi ka marrë ngarkesat maksimale edhe dje. Porositë nuk kanë të sosur, teksa stafi teknik kërkon zgjimin e lojtarëve. Duhet thënë që dje janë shfaqur tejet të përqendruar në zbatimin e detyrave tekniko-taktike. U bënë edhe disa prova në lojë, por është herët të thuhet se kush do të jenë titullarët që do të zbresin në fushë për të sfiduar Vllazninë.

 Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"