Kriza te Tomori, ish-sulmuesi reagon ashpër: Dalipi duhet të japë dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2021 | 12:01

Kriza te Tomori, ish-sulmuesi reagon ashpër: Dalipi duhet të japë dorëheqjen

Tomori është zhytur në krizë. U bënë 4 javë që nuk fitojnë dhe kjo i ka zbritur të 7-ët në tabelë, pra larg pretendimeve fillestare. Nëse deri para pak ditësh lakmonin vendin e dytë, që të çon në elitë, tashmë janë në garë për mbijetesën.

Tomori Dalipi

Kjo situatë nuk po përtypet në Berat, ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente nga ana e kryebashkiakut. Këtë apel e jep edhe ish-sulmuesi Edmond Gjata, nënkampion në sezonin 1999-2000. Gjatë një opinioni të dhënë për “Panorama Sport”, ai mendon se zgjidhja është vetëm një: largimi i trajnerit.

“Kemi të bëjmë me një situatë shumë të ndërlikuar dhe nëse nuk ndërhyhet sa jemi në kohë, gjithçka mund të agravohet. Që të jem më konkret në deklaratën time, unë zgjidhjen e shoh te dorëheqja e menjëhershme e Klevis Dalipit nga drejtimi i Tomorit. Ai duhet të marrë përsipër përgjegjësinë pse ekipi doli nga gara për vendin e dytë, për të mos thënë që paraqitjet kanë pasur luhatje gjatë gjithë fazës së parë.

Kam bindjen e plotë se skuadra nuk e ndjek më trajnerin, ndaj është më e ndershme që ai të largohet. Kryebashkiaku Ervin Demo duhet të bëjë diçka për ta kthyer ekipin në ‘shina’. Unë pastaj shoh domosdoshmëri edhe rikthimin e donatorëve, pasi ka nevojë për mbështetje”, përfundoi ish-kapiteni.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"