Kriza te Lushnja, zbardhet debati me tone të larta në Asamblenë e Përgjithshme të Aksionerëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2018 | 14:56

Kriza te Lushnja, zbardhet debati me tone të larta në Asamblenë e Përgjithshme të Aksionerëve

Dje në mesditë është zhvilluar me shumë debate Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të “KF Lushnja 1930” sh.a. Në Asamble ka munguar presidenti Fatos Tushe dhe fillimisht fjalën e ka marrë kryetari i bordit, Gentian Nushi. Më pas, anëtarët kanë kërkuar llogari për gjendjen e dobët të rezultatit sportive dhe të infrastrukturës.

lushnja mbledhja

Gentian Nushi (kryetar i bordit): “Është një detyrim ligjor që duhet mbledhur Asambleja për të kaluar bilancin e vitit të kaluar të sh.a “KF Lushnja 1930”

Arben Zaimi (anëtar i Asamblesë): “Na janë paraqitur pasqyrat financiare të vitit 2017 për “KF Lushnja 1930″ dhe nga pasqyrat financiare në lidhje me transferimet, udhëtim, dieta që bëhen për ekipin e futbollit. Në vitin 2016 ky zë ka qenë 1,3 milionë lekë, ekipi ka qenë në Kategorinë e Parë. Dhe, në vitin 2017 është 9,7 milionë lekë. Honoraret janë 8,5 milionë. Kërkoj një përgjigje nga ana e ekspertes pse është kaq?

Ky fakt tregon që ekipi është shëndoshë gjatë vitit 2017 dhe me këto rezultate që janë sot. Në lidhje me të ardhurat, 40 milionë lekë i ka dhënë Bashkia si subvencionim. 1,5 milionë janë të ardhurat e Akademisë dhe 3,9 milionë lekë të ardhurat nga reklamat. Si ka mundësi që me gjithë këtë shumë që shkon afërsisht 45 milionë lekë (të rinj), me një kosto 1,2 milionë lekë (të vjetër) në ditë dhe situata e ekipit është ajo që është sot?”

Gentian Nushi: “Objektivi sezonal ka qenë qëndrimi në Superiore. Në rast mosarritjeje të objektivit, ekipi penalizohet. Këtë e kemi treguar edhe 3-4 vite më parë, kur ekipi u penalizua. U gjobit me të ardhurat e dy ose tre muajve. Dhe, ata nuk morën të ardhurat e tyre të dy-tre muajve… ”

Arben Zaimi: “Pasi të mbarojë kampionati thoni ju”!

Gentian Nushi: “Nuk mundem unë! Do të respektoj kontratën. E kam vlerësuar çdo ndeshje dhe nuk mund ta marr vendimin apriori. I kam vlerësuar çdo ndeshje kush është aktivizuar. Sa minuta është aktivizuar. Sa minuta ka zëvendësuar. Kam statistikat për të gjithë futbollistët për secilën ndeshje.

Për të 25 lojtarët. Për herë të parë në 2017-ën nuk ka më honorare. Marrin rroga tani. Kanë rrogat minimale plus trajtimet që i takojnë. Ideja është që futbollistëve u japim atë që kanë kërkuar. U përgjigjemi për çdo lloj kërkese që ata kanë. Kanë arsyet e tyre me stafin teknik. Është ndërruar tri herë stafi teknik. Janë vështirësitë e Superiores. Tani le të themi atë që është Lushnja. Ne nuk pretendonim të bënim një ekip që të shkonte në Kupat e Europës.

Me këto kushte dhe me këto të ardhura. Me të gjitha këto jemi i vetmi ekip bashkë me Vllazninë, që marrin më shumë trajtim nga Bashkia. Që janë 100% për qind aksionerë të Bashkisë. Nuk është e vërtetë se jeni ju “pronarë”. “Pronarët” e ekipit janë Këshilli Bashkiak, është kjo Asamble. Nuk ka asnjë kërkesë për privatizim. Kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe, ka 7 vjet që kërkon. “Jepni një lek më tepër dhe unë ju jap presidencën”.

Po ju marr një shembull nëse Bashkia jep 20 dhe donatorë vë 20+1. Hajde të marrë presidencën. Jemi të hapur. Sepse jemi koshientë që janë shumë para’ të shpenzuara për ekipin e futbollit. Po ta shikosh, “marron” në qytetin e Lushnjës, në të gjitha problemet që ka Lushnja. Është shumë për këtë buxhet, për ekipin e futbollit. Por, duke qenë koshientë që ka tifozëri. Është një histori që duam apo nuk duam ne, do të vazhdojë. E kemi dhe si “sëmundje”, që çdo javë kur ka ndeshje shkojmë të shikojmë atje ekipin”.

Arben Zaimi: “Po atje 20- 30 veta po shkojnë”!

Gentian Nushi: “Po, pra! Dolëm nga objektivi dhe nuk mund të shkojmë kur dolëm nga objektivi. Të ardhurat në 2017-ën prandaj kanë dalë me bilanc pozitiv sepse stadiumi keq apo mirë, po mbushej”!

Arben Zaimi: “Të ardhurat plus kanë qenë për shkak të reklamave, të ardhurat që janë marrë nga Akademia. Këto të ardhura t’i kthehen Akademisë. Ata nuk kanë ku të stërviten. I kryejnë seancat stërvitore në fushat me pluhur. Ekipi i futbollit nuk ka një fushë stërvitjeje. Të paktën rregulloni stadiumin e Plugut me fitimin që keni marrë”.

Gentian Nushi: “Por, kjo ka kosto”.

Arben Zaimi: “Por, ke 4,9 milionë lekë që ke fituar. Kur nuk ka fushë stërvitjeje çfarë do të kërkosh, pluhurin?”

Gentian Nushi: “27 vjet kanë pasur ndonjë fushë tjetër që kanë qenë më mirë ata”.

Arben Zaimi: “Atëherë, ne do të vazhdojmë të paguajmë. Ekipi është ai që është”.

Gentian Nushi: “Ekipi ka dalë nga Superiorja edhe teorikisht. Ne jemi të detyruar të ofrojmë shërbimin. Sepse nuk mund të penalizohemi, të mos dalim në ndeshje. Ekipi të humbasë stemën, logon e ekipit dhe çdo gjë tjetër”.

Ramazan Gjyla: “Pse nuk aktivizohen çunat e rinj, por prapë me këta e çuan në këtë gjendje. Mos u justifikoni kot me ata “plakushat” që keni aty”.

Gentian Nushi: “Unë nuk justifikohem sepse nuk mbaj përgjegjësi nga ana teknike. Mbaj përgjegjësi nga ana administrative. Tani kemi marrë trajnerin e duhur, por futbollistët cilësorë nuk mund të afrohen me kaq para’ sa kemi ne”. Në fund me shumicë votash janë miratuar pasqyrat financiare të vitit 2017.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"