Kriza te Luftëtari, bashkia mendon zgjidhjen me gjyq. Vijojnë largimet nga gjirokastritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2020 | 12:35

Kriza te Luftëtari, bashkia mendon zgjidhjen me gjyq. Vijojnë largimet nga gjirokastritët

Ka kaluar një javë nga bojkoti i stërvitjes nga Luftëtari, që ka “harruar” të zbresë në fushë. Presidenca vazhdon të heshtë në lidhje me situatën kritike të skuadrës. Interesimit të gazetës i është përgjigjur drejtori i sektorit të rinisë, kulturës dhe sporteve në Bashkinë e Gjirokastrës, Bledar Kaçi, i cili shprehet:

Luftetari miqesore

“Bashkia, sipas kontratës, është aksionere me 25% te Luftëtari. Detyrimet tona janë mirëmbajtja e ambientit sportiv dhe atij stërvitor, por patjetër dhe asetet që disponon Luftëtari. Nga bashkia po monitorohet mbarëvajtja e ekipit dhe do të kalohet në veprime juridike, sipas situatës që po krijohet. Bashkia ka interes për ecurinë e Luftëtarit dhe natyrisht kjo është në interes të futbollistëve dhe të sportdashësve, të jetës sportive të Gjirokastrës”.

ALINANI – Situata e nderë që po kalon Luftëtari po shoqërohet me largime lojtarësh, ku emri më i fundit është 18-vjeçari Klaus Alinani, produkti i shkollës gjirokastrite. Nëpërmjet “Instagram”-it ai bën të ditur “divorcin” me Luftëtarin. “Pas tri vitesh me shumë punë dhe sakrificë po mbyllet sot (dje) aventura ime me Luftëtarin. Falënderoj shokët e ekipit, trajnerët, stafin dhe presidentin për mbështetjen që më kanë dhënë këto 3 vite. Falënderoj tifozët e Luftëtarit dhe qytetin.

Një ditë rrugët tona do të takohen përsëri dhe jam shumë i sigurt se atëherë unë dhe Luftëtari do jemi shumë herë më të fortë. Uroj që Luftëtari të jetë aty ku e meriton, do jem gjithmonë juaji. Faleminderit Luftëtari!”, shkruan delvinjoti. Stërvitja në grup është ndalur, por futbollistët vendës organizohen çdo pasdite dhe frekuentojnë Fushën e Vjetër për të mbajtur trupin në formë.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"