Kriza te Kukësi, Gjici ia kalon “topin” trajnerit: Pyesni Duron për rezultatet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 9:10

Kriza te Kukësi, Gjici ia kalon “topin” trajnerit: Pyesni Duron për rezultatet…

Kukësi nuk di të fitojë, e këtë e tregoi dhe në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut në Korçë. Nënkampionët synuan tri pikët, por në fund u mjaftoi vetëm një në sfidën e së shtunës. Por, duke parë ecurinë e ekipit, ku në tri ndeshjet e fundit kanë koleksionuar 2 humbje dhe 1 barazim, apo vetëm 11 pikë nga 24 të mundshmet, pa dyshim që drejtuesit do të nervozoheshin e zhgënjeheshin.

safet gjici

Gazeta mëson nga burime të sigurta pranë presidentit Gjici se ka qenë pikërisht kreu i klubit që duke mos qenë prezent në ndeshje për shkak të preokupimeve që ka prej detyrës së tij politike, ka telefonuar drejtues të verilindorëve dhe ka shpërthyer duke mos qenë dakord me këto rezultate.

Presidenti Gjici ka bërë disa hapa edhe më parë për të marra masa konkrete për lojtarët dhe stafin, madje u ka vendosur gjoba, por për mos t’i vendosur nën presion dhe rënduar financiarisht ua ka hequr sërish. Mirëpo, këta të fundit nuk kanë reaguar për mirë akoma. 1 pikë në 3 ndeshje është shumë pak për një ekip si Kukësi me objektiva të mëdha.

ULTIMATUMI

Presidenti ua ka bërë të qartë drejtuesve se nëse nuk vjen kthesa, t’i bëjnë llogaritë mirë lojtarët dhe stafi drejtues. Nuk ka më falje dhe kthim pas. E presidenti Gjici e ka treguar me fakte se kur i soset durimi, me të nuk bëhet shaka (4 trajnerë të ndërruar brenda sezonit të shkuar është shembulli konkret).

Gjici-Nexhipi

Gazeta ka komunikuar me kreun e klubit pas ndeshjes, i cili dukej ndjeshëm i zhgënjyer, e përgjigjja e tij ishte e shkurtër, por me mesazh të qartë, se për këto rezultate duhet të pyesim trajnerin Shpëtim Duro, jo atë.

PRESIDENTI

I pyetur se skuadra ka tri ndeshja pa fitore, çfarë po ndodh me ekipin duke qenë se janë shumë pak për një skuadër që pretendon titullin, numri një i klubit ka reaguar me një sinjal të qartë drejtuar trajnerit. “Pyesni trajnerin Duro për rezultatet dhe situatën”, ishte përgjigjja e Safet Gjicit.

dURO

Tashmë ekipit i mbetet detyrë për të bërë kthesën ndaj Luftëtarit në takimin e radhës. I pyetur nëse trajneri rrezikon apo jo me këto rezultate të deritanishme, numri një i klubit nuk i ka siguruar pozitat e Duros, por as nuk e ka mohuar rrezikun e numrit një të stolit.

INVESTIMET

Kukësi ishte një nga ekipet që pati numrin më të lartë të largimeve dhe afrimeve. Në total, kishte 14 të larguar e po kaq afrime. Përgjithësisht afrimet ishin të goditura me lojtarë si Emiljano Musta, Erhun Obanor e duke vijuar me “artilerinë e rëndë”, dy ish-lojtarët e Kombëtares, Kristal Abazaj dhe Enis Gavazaj.

kukesi

Kukësi ka shumë kualitet sidomos në fazën sulmuese, e këtë e thonë të gjithë specialistët e futbollit, por çuditërisht kampionati nisi shumë mirë për Kukësin me 2 fitore dhe 1 barazim, por më pas situata u komplikua sidomos me rezultatet e fundit. Ndoshta dëmtimet përreth një muaj të Ethemit dhe Mustës prishën ekuilibrat në fushë për trajnerin Shpëtim Duro. Tashmë pritet që të gjendet formula që Kukësi të rikthehet te fitoret e te rezultatet e kërkuara.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"