Kriza pa fund e Elbasanit, shifrat flasin qartë! Bashkia i ka kthyer shpinën futbollit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 12:27

Elbasani Kategoria e pare Të fundit

Kriza pa fund e Elbasanit, shifrat flasin qartë! Bashkia i ka kthyer shpinën futbollit

Elbasani po humbet gradualisht shumë nga prestigji i tij, nga një ekip kampion i elitës, në luftë për të mbijetuar në Kategorinë e Parë. Verdheblutë po përjetojnë një nga periudhat më të errëta të historisë së tyre, për të cilën justifikim është një gjyq misterioz me një kompani angleze, por e vërteta është se nuk shihet asnjë përpjekje për ta nxjerrë Elbasanin nga balta. Pushteti vendor që ka përgjegjësitë e veta, duket se nuk e ka fare në llogari ekipin e futbollit. 

Elbasani

Çuditërisht, edhe pse bëhet fjalë për një ekip me traditë, histori dhe tituj kampionë, Elbasani injorohet totalisht nga bashkia e qytetit. A thua se është një ekip i rëndomtë i kategorive inferiore. Kryebashkiaku Gledian Llatja as që ka denjuar të flasë për “Panorama Sport” në lidhje me Elbasanin, ndoshta me marrjen e detyrës nuk ka menduar kurrë për futbollin. Mëkat, sepse ky ekip po vuan gjithmonë e më shumë vitet e fundit dhe këtë e vërtetojnë qartë shifrat.

Llatja-Elbasan-bashkia-1-770x433

 KRIZA E SULMIT – Një dekadë nuk është pak në futboll, është mjaftueshëm për të bërë një analizë rreth një klubi. Për Elbasanin mund të quhet një nga dekadat më të dobëta në histori, pasi në këto 10 vite dy herë ka milituar në Superiore, shtatë herë në Kategorinë e Parë dhe një herë në Kategorinë e Dytë. Përpos rezultateve të dobëta gjatë kësaj periudhe, në skuadër ka rënë në sy mungesa e një bomberi, pasi mjafton të thuash që vetëm në tri raste ka dalë një sulmues që të shënojë të paktën 10 gola në sezon.

Endri-Dalipi

Dy herë Endri Dalipi dhe një herë Shamet Luta dhe të dy kanë lënë aktualisht futbollin e luajtur. Shpresat e këtij sezoni janë te Klodian Nuri, i cili është golashënuesi më i mirë i skuadrës, por me vetëm tre gola. Në fakt, duket gati e pamundur që Elbasani të ketë në skuadër një sulmues që t’i garantojë gola dhe ta nxjerrë nga situata në ndeshje të caktuara.

Këtë e tregojnë shifrat e 10 viteve të fundit, ku sulmuesit kanë qenë “shterpë”. Sezonin e kaluar golashënues ishte një nigerian, Kristian Ezike, me vetëm 4 gola, ndërsa një sezon më parë Shamet Luta, me 13 të tillë, por nuk duhet harruar se Elbasani militonte në Kategorinë e Dytë.

Për të pasuar më herët sërish me Lutën dhe Kristal Abazajn, me nga 7 gola, ndërsa Eri Lamçja me vetëm 4 gola. Nga 2010-ta deri në 2014-ën, golashënues i skuadrës ka qenë Endri Dalipi, dy herë me tetë gola, një herë me 10 dhe në sezonin 2013-2014 me 16 gola.

Statistikat

Këto shifra tregojnë se Elbasani këtë dekadë ka vuajtur për një sulmues goli dhe për aq kohë sa nuk do të kenë në skuadër një lojtar që t’i sigurojë të paktën mbi 10 rrjeta në sezon, vështirë se mund të pretendojë për më shumë se mbijetesa në Kategorinë e Parë. Aktualisht, shpresat janë që në këtë kuotë të arrijë Nuri, por deri më tani ka realizuar vetëm tri gola.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com