Kriza në Vlorë, rrëfehet Mezani: Ja si ia del Flamurtari të shpëtojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2019 | 20:59

Kriza në Vlorë, rrëfehet Mezani: Ja si ia del Flamurtari të shpëtojë

Gentjan Mezani shpreh keqardhje për situatën e vështirë që po kalon Flamurtari. Trajneri vlonjat i Gjilanit bën apel që të zgjidhen problematikat dhe Flamurtari të mos rrëzohet nga Superiorja.

mezani

Ish-trajneri i kuqezinjve veçon frymën që ka futur në ekip Luan Birçe, që sipas tij ka ndërtuar një skuadër agresive dhe që po bind me lojën. Në një intervistë të dhënë dje për “Panorama Sport”, Mezani skanon kampionatin shqiptar, luftën për titulli, mbijetesën dhe jo vetëm.

Si po ecën aventura te Gjilani dhe a jeni i kënaqur me pozicionin në tabelë pas 17 javësh kampionat?

Për momentin jemi brenda objektivave dhe deri tani gjithçka po shkon mirë. Objektiv kryesor kemi Kupat e Europës, pastaj do të shohim gjatë rrugës nëse do të vendosim ndonjë synim tjetër. Nuk jemi nën presion. Kemi një president që dëshiron të fitojë diçka këtë vit me këtë Gjilan, por nuk na vendos nën presion.

Ju kanë bindur lojtarët që keni marrë nga Shqipëria dhe a mund të veçoni ndonjë?

Për momentin pothuajse lojtarët që kam afruar nga kampionati shqiptar janë ambientuar shumë mirë. Nuk do të veçoja askënd, pasi të gjithë po bëjnë më të mirën për të arritur objektivin e vendosur nga klubi.

Flamurtari është në një gjendje jo të mirë. Si e shikoni këtë situatë? 

Më vjen keq që e shikoj në këtë pozitë Flamurtarin. Nuk e di se cilat janë arsyet që ka ardhur në këtë situatë, sepse unë nuk jam prej dy vjetësh në Vlorë dhe nuk e njoh mirë situatën aty. Uroj dhe shpresoj që Flamurtari të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje dhe të kthehet aty ku i takon.

Sa rrezikon skuadra të bjerë nga kategoria? 

Situata nuk është e mirë. Them se duhen zgjidhur sa më shpejt problemet që janë dhe që i dinë ata. Pastaj të shikohet edhe ndonjë ndërhyrje në merkato. Por, e rëndësishme është të jepet zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Ndeshja e radhës me Laçin. Mendoni se ka shanse për pikë?

Laçi ka një skuadër të fortë sivjet dhe e shikoj si një ekip që do të luftojë për kreun deri në fund. Mendoj se Flamurtari do ta ketë të vështirë, por jo të pamundur, sepse me trajnerin Birçe po shikojmë një skuadër ndryshe, më agresive dhe me lojëra shumë të mira.

Ju e keni drejtuar vetë Laçin, pse besoni se do të jetë në luftë për vendet e para? 

Laçi që unë drejtoja, ishte me lojtarë të rinj dhe jo me shumë eksperiencë, ndërsa tashmë është një skuadër e konsoliduar. Ata lojtarë që kanë qenë pjesë e Laçit që drejtoja unë, kanë krijuar eksperiencë në kampionatin shqiptar.

Por, keni drejtuar edhe Luftëtarin. Si i shikoni zhvillimet në kampin gjirokastrit? 

Mendoj se ajo që u arrit me presidentin Tavo nuk mund të arrihet më.

Cilët mendoni se janë pretendentët për titull këtë sezon?

Po tashmë ky kampionat në Shqipëri sa vjen e bëhet më i paparashikueshëm, pasi kemi shumë skuadra në kreun e tabelës që janë shumë afër me pikë. Mendoj se skuadra që do të gabojë më pak do të jetë ajo që do ta fitojë këtë kampionat.

Cilët bien nga kategoria sipas jush? 

Nuk mund të them se cilat janë skuadrat, edhe pse është krijuar një distancë jo e vogël në pikë. Pas merkatos së janarit do të kemi një parashikim, pasi varet se si do të veprojnë skuadrat në bërjen e merkatos. Pra, cilësia e lojtarëve që do të afrojnë, edhe pse dihet që në këtë periudhë nuk është se ofrohet cilësi shumë e mirë.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"