Kriza në sulm, Vllaznia ka 4 vite që nuk gjen bomber. Bushiç ishte i fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 12:29

Kriza në sulm, Vllaznia ka 4 vite që nuk gjen bomber. Bushiç ishte i fundit

As ky sezon nuk duket se do të rezervojë një sulmues “race” për kuqeblutë. Dy lojtarët e afruar në merkaton e verës si Çarls Atsina dhe Andi Ribaj nuk japin garanci për “hallin” e përvitshëm që ka Vllaznia në repartin e avancuar. Në katër javët e para të këtij sezoni, ata ende nuk kanë arritur që të shënojnë.

Vllaznia-Skenderbeu 1-3, Bushic mes Gvozdenovicit dhe Orelesit

Ribaj është një lojtar që njihet për vlerat e tij, por mbetet larg pritshmërive me atë që ka dhënë në fushë. Nga ana tjetër, ganezi Atsina, jo vetëm që nuk duket se do të jetë mbështetja e skuadrës për sulmin, por me problemet shëndetësore që po shfaq, ai mund të mos jetë fare këtë sezon. Me sa duket, sërish Vllaznia edhe në këtë sezon do të vuajë në sulm.

Prej katër vitesh, klubi nuk gjen dot një lojtar që t’i garantojë minimalisht 10 gola. I fundit që ka shënuar mbi 10 gola me fanellën kuqeblu ka qenë kroati Tomislav Bushiç në sezonin 2013-2014. Në katër sezonet e fundit, më shumë është shfaqur si golashënues mesfushori Ndriçim Shtubina, sesa ndonjë lojtar tipik sulmues. Largimi i Bushiç, por edhe më herët i Xhevahir Sukajt, mbetet një kujtim i largët për Vllazninë, që goleadorët më shumë i “prodhon” për të tjerët.

GOLASHËNUESIT

Tifozët shkodranë i ka marrë malli për të parë në skuadër një goleador. Lojtarët e ardhur, por edhe talentet shkodranë të viteve të fundit, nëse mund t’i quajmë të tillë, nuk kanë mundur të zëvendësojnë emra si Vioresin Sinani, Hamdi Salihi, Bekim Balaj, Armando Vajushi e Xhevahir Sukaj.

Këta janë disa nga emrat e viteve të fundit që kanë lënë shenjë tek ekipi i Vllaznisë me golat e tyre, për të mos përmendur sulmues si Edi Martini apo shumë e shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e tifozërisë shkodrane. E që nga koha e tyre e deri më sot, te Vllaznia kanë ardhur shumë sulmues të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk ka bindur për t’iu shtuar kësaj liste të lojtarëve shkodranë që kanë kontribuar për këtë skuadër.

Vllaznia edhe në këtë sezon kërkoi që të kishte një sulmues “race”, por sërish dy të ardhurit e kësaj merkatoje duke se janë shumë larg Sinanit, Salihit apo Sukajt. Me sa duket, te Vllaznia për shumë arsye nuk po arrihet që këto vitet e fundit të bëhen afrimet e duhura për vijën e sulmit.

“Sulmues kërkon gjithë Europa”, ka thënë pak kohë më parë ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova. Mirëpo, është për të ardhur keq që një klub si Vllaznia nuk “godet” në merkato, ashtu si skuadrat e tjera, që më së paku afrojnë sulmues, të cilët shënojnë 10 gola në sezon.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"