Kriza financiare te Luftëtari, zbulohen prapaskenat në klubin gjirokastrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 15:00

Kriza financiare te Luftëtari, zbulohen prapaskenat në klubin gjirokastrit

Qetësinë te Luftëtari nuk e kanë prishur vetëm rezultatet e dobëta në fazën e parë apo zgjedhjet totalisht të gabuara të drejtuesve në merkato. Mbi të gjitha, në grupin e lojtarëve situata zien.

43036602_560575241038484_1833153348295983104_n

Skuadra rezulton të ketë disa muaj pa u paguar, diçka që pranohet edhe zyrtarisht nga vetë klubi, pavarësisht se theksohet se bëhet fjalë për dy rroga. “Panorama Sport” zbulon se kjo krizë financiare te bluzinjtë ka ardhur si pasojë e bllokimit të llogarisë së klubit nga Tatimet. Lojtarët i marrin të gjitha pagat në bankë. Kësisoj, klubi rezulton debitor në Tatime dhe tashmë duhet të bëjë një marrëveshje me drejtorinë e kësaj të fundit, në mënyrë që gjithçka të zhbllokohet.

43000458_1049750245194398_7882683985225056256_n

Lojtarët nuk kanë qenë aspak të qetë dhe një pjesë e tyre e shfaqën edhe dje në fushë në fundin e lojës. Megjithatë, gazeta mëson se përpara ndeshjes me Laçin javën e kaluar, “senatorët” e ekipit kanë bërë një takim me presidentin Grigor Tavo, vëllain e tij, Vangjel Tavo, që është deputeti i Gjirokastrës, si dhe aksionerët e tjerë të klubit. Ata janë zotuar se gjithçka mbyllet këtë javë sa u përket detyrimeve të prapambetura. Ndërkohë, Luftëtari pret të arkëtojë shifra të rëndësishme që do t’ia lehtësonin vazhdimësinë e sezonit. Bëhet fjalë për 250 mijë euro nga UEFA, 50 mijë euro të padhëna nga Skënderbeu për kartonin e Bregut, por gjithashtu 85 mijë euro nga e drejta televizive që jep FSHF apo edhe bonuse të tjera si fond i solidaritetit (50 mijë euro) që qeveria e futbollit europian akordon.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"