Mendësi feudale, sportit i duhet një platformë afatgjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2019 | 19:52

Mendësi feudale, sportit i duhet një platformë afatgjatë

 RAUF DIMRAJ

Rauf-Dimraj

Pyetjet që ngre gazeta lidhen në mënyrë esenciale me cilësinë e mirë sportive që meriton të ketë shoqëria jonë. Ndërkohë që përgjigjet e mia nuk mjaftojnë sepse kjo kërkon një debat të gjerë dhe shumë faqe gazete. Gjithsesi, fillimisht do të përpiqem të përgjigjem shkurtazi:

E para: Sporti në mentalitetin tonë shoqëror vazhdon të konsiderohet si një “e drejtë, luksi i të aftëve” dhe jo si një pjesë e natyrshme dhe e domosdoshme e jetës së çdo individi. Pra, sporti në shoqërinë tonë akoma nuk mendohet që të përdoret si një veprimtari dhe nevojë jetike.

E dyta: Sporti në konceptin tonë shoqëror shikohet si një biznes i vockël, afatshkurtër dhe i ndërthurur me shumë patriarkalizëm, sesa pjesëmarrje të gjerë shoqërore. Origjinë kjo nga historia jonë shumëshekullore.

E treta: Sot, edhe pas 25 vitesh ekziston një indiferentizëm institucional i paimagjinueshëm për domethënien e sportit në aspektin shëndetësor, kulturor, social, ekonomik, human etj..

Faktikisht, lëvizja fiziko-sportive konsiderohet te ne si një aspekt me kulturë mediokre, ndërkohë që është e kundërta, domethënë është aspekti më shkencor i jetës njerëzore, pasi udhëhiqet nga parimet e shkencave të lëvizjes: biologji, fiziologji, anatomi, psikologji, pedagogji, biomekanikë, mënyra e të ushqyerit, auksologji, metodikat stërvitore, etj. Ja çfarë shkruante plot 500 vjet më parë Leonardo da Vinçi: “Ata që apasionohen me praktikën pa shkencë, janë si marinarët që lundrojnë me anije pa timon e pa busull dhe asnjëherë nuk e dinë se ku do mbërrijnë”.

E katërta: Rrjedhojë e këtyre mangësive, rezulton fakti që në sistemin tonë sportiv nuk ekziston një platformë gjithëpërfshirëse afatmesme dhe afatgjate, që tregon se ku është sporti sot dhe ku do të arrijë nesër; çfarë objektivash duhen arritur dhe si mund të arrihen ato objektiva.

Pra, është themelore zhvillimi i platformave të tilla me këndvështrim të gjerë shoqëror si baza e gjithçkaje dhe duhet kuptuar që mbështetja me financime është vetëm një pjesë e kësaj platforme, e cila është mbështetëse. Platformat kërkojnë shtrirje në kohë dhe kërkojnë njerëz të aftë profesionalisht, të përkushtuar dhe mendjehapur, që të programojnë e ekspozojnë kudo në shoqëri, objektiva të qarta për ecurinë e sportit, mbështetur mbi parimet shkencore. Ky proces implementimi do sjellë përpunim, konceptim, përvetësim të gjerë social për qëllimin e sportit dhe zhvillimin e përshtatshëm të tij në shoqëri.

Duhet mbajtur parasysh se ky është një proces dhe një maratonë që do kohën e vet, mbështetur mbi shkencën dhe shoqërinë, e cila siguron absolutisht të nesërmen e sigurt të shoqërisë shqiptare.

Në këndvështrimin tim, është e kuptueshme që derisa të mos ketë një platformë të tillë afatmesme e afatgjate, të studiuar dhe e udhëhequr shkencërisht, e cila të përfshijë gjithë shoqërinë dhe mbështetur fuqishëm nga shteti nëpërmjet ligjit gjithëpërfshirës dhe jo vetëm atëherë të gjitha tentativat e tjera, sikundër është edhe sponsorizimi, do të jenë thjesht shtojca, me humbje të shumanshme dhe nuk do gjenerojnë rezultatin atje ku duhet.

Si mund të zgjidhet?

Lutem, më parë më lejoni t’u8 referohem disa rezultateve cilësore të arritura realisht nga një organizim i vlefshëm, pasi ato shërbejnë për optimizëm, shpresë dhe mundësi të plota për progres në shoqërinë tonë.

Bazuar në Programin e Qeverisë për periudhën 2013-’17, Federata Shqiptare e Sportit Shkollor, mbi baza shkencore dhe shoqërore hartoi platformën shkencore mbi organizimin dhe masivizimin e zhvillimit praktik bashkëkohor të lëvizjes fiziko-sportive në Shqipëri, për moshat 3-18 vjeç. Në këtë platformë bën pjesë edhe një mjet i shkëlqyer didaktik shkencor: “Kartela individuale e nxënësit”.

Kartela mundësoi të realizohet vlerësimi i plotë metabolik, funksional, strukturor i gjithë nxënësve dhe identifikoi gjendjen e tyre shëndetësore e mundësoi krahasimin me standardet bashkëkohore për edukimin fizik e për parametrat tregues të cilësisë sonë sportive.

* Qeveria institucionalizoi zhvillimin me 3 orë në javë të edukimit fizik në arsimin parauniversitar shqiptar. Ky fakt është historik dhe e rendit Shqipërinë më përpara se shumë shtete të zhvilluara perëndimore, të cilat e zhvillojnë këtë lëndë mësimore me 2 orë/javë.

* Trajnuam teorikisht dhe praktikisht, për herë të parë në vendin tonë, mësuesit e edukimit fizik të Shqipërisë. Realisht, mësuesi i edukimit fizik është personalitet shumë i çmuar për kombin tonë. Ky trajnim tepër i dobishëm u vlerësua nga shumë shtete të Europës.

* Qeveria punësoi rreth 720 mësues të rinj për edukimin fizik në shkollat e vendit.

* Krijuam dhe vumë në funksion, për herë të parë në vendin tonë, shoqatat sportive në rajonet e Shqipërisë.

* Krijuam, për herë të parë, dhe aktivizuam Federatën Shqiptare të Sportit Shkollor.

* Mbajtëm, për herë të parë në vendin tonë, Konferencën e Parë dhe Konferencën e Dytë Kombëtare për lëvizjen fiziko-sportive. Federata Shqiptare e Sportit Shkollor dhe shoqatat sportive, anëtare të saj, kanë kontribuuar intensivisht për të edukuar e trajnuar nxënësit me kompetencë profesionale. Ato kanë favorizuar lidhshmërinë e inteligjencës konceptuale me inteligjencën e lëvizshmërisë; pikërisht kjo është vlera e asaj federate sepse mundëson unifikimin e zhvillimit të funksioneve kognitive të nxënësit, në mënyrë që ai të jetë aktiv, rentabël dhe pa vese në jetë. Arritjet e Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor janë vlerësuar si shumë cilësore, edhe nga Federata Botërore e Sportit Shkollor, ISF, e cila i ka publikuar këto arritje në sistemin arsimor ndërkombëtar.

Në vazhdim të përgjigjes sime, besoj se për të rritur cilësinë në sportin tonë kërkohet:

1. Ndryshim rrënjësor në mentalitetin tonë shoqëror të studiuar dhe të udhëhequr shkencërisht, që të përfshijë gjithë shoqërinë dhe mbështetur fuqishëm nga shteti nëpërmjet ligjit gjithëpërfshirës dhe jo vetëm.

2. Krijimi i një platforme afatmesme dhe afatgjate shoqërore mbarëkombëtare, mbështetur fuqishëm në platformën e FSHSSH-së me objektiv masivizimin e edukimit fizik dhe sporti si baza, e cila do të prodhojë sportin tonë të ardhshëm.

3. Rishikimi i ligjit të sportit “MË SË PARI” e në këndvështrimin e kësaj platforme shkencore e praktike, të miratuar.

4. Masivizim dhe Ndërgjegjësim i gjerë shoqëror që cilësia e sportit është e lidhur me talentet, që seleksionohen në shkollat tona dhe që fillojnë të zhvillohen në kopsht, që në moshën 3-vjeçare.

5. Ndërgjegjësimi, si një nevojë imediate, nëpërmjet implementimit të edukatës në arsimin parauniversitar, sipas platformës për edukimin fizik të Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor të miratuar në vitin 2014 nga Ministria përgjegjëse për Sportin.

6. Krijimi i një ligji të financimeve në radhë të parë dhe në mënyrë të mençur dhe efikase, i cili të përfshijë sponsorizimin e sportit po në këtë mënyrë. Në mendimin tim, kjo është rruga e duhur që ne të investojmë sot për shoqërinë, me qëllim që nesër të kuptojmë se çfarë shoqërie duam të kemi.

Në çdo rast tjetër, sporti do të vuajë “Injorancën Tonë Kolektive” dhe çdo vit do flitet për të njëjtin iluzion. Në fund të përgjigjes sime, besoj e theksoj se këtë ndërgjegjësim dhe implementim mbarëshoqëror, e kanë për detyrë prioritare ta bëjnë të gjithë dhe me mendje të hapur dhe mendim shkencor, duke filluar nga drejtuesit e edukimit fizik dhe sportit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke vazhduar me sistemin arsimor, më tej me ndërgjegjësim dhe implementim edukativ shoqëror sportiv dhe duke u mbështetur me një ligj të sportit dhe edukimit fizik për këtë qëllim e duke përjashtuar “Pronësinë me Mendësi Feudale” të deritanishme, e cila për fat të keq vazhdon të jetë pjesë e shoqërisë sonë.

*Ish-zv.ministër i MAS-it

SHËNIM: Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"