Kriza financiare, Avni Ponari: Ligji i sponsorizimit është shpëtimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2020 | 20:24

Kriza financiare, Avni Ponari: Ligji i sponsorizimit është shpëtimi

Në Vlorë u zhvillua dje asambleja vjetore e Federatës Shqiptare të Basketbollit. FSHB ka zhvilluar analizën e hollësishme të rezultateve dhe aktiviteteve të të gjitha ekipeve, që nga moshat e deri te të rriturit, për femra dhe meshkuj, si dhe ekipeve kombëtare.

avni ponari

Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, tha se ky vit do të jetë shumë i veçantë për shumë arsye, ku theksoi si prioritet ka lobimin e mbështetjen financiare për basketbollin dhe ligjin për sponsorizimet. Ndërkaq, dje u miratuan disa ndryshime në programin e federatës. Pikë e rëndësishme ishte miratimi i buxhetit për vitin 2020. Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti Ponari foli për asamblenë dhe objektivat për këtë vit.

Zoti Ponari, pse zgjodhët Vlorën për zhvillimin e mbledhjes vjetore të asamblesë?

Kemi zgjedhur Vlorën, pasi këtu vendosëm që të zhvilloheshin edhe finalet e Kupës së Republikës, një aktivitet shumë i rëndësishëm. Duke qenë se ekipi i Flamurtarit ka gjithë këto vite që i jep tonin basketbollit të femrave, menduam që do të ishte mjaft mirë që kjo finale dhe kjo mbledhje të zhvillohej këtu, në një qytet të bukur me plot diell që unë e pëlqej, sepse këtu kam mbaruar Shkollën e Marinës dhe kam nostalgji për Vlorën.

Cili është prioriteti për këtë vit?

Është një përpjekje për të nxitur të gjitha shoqatat e basketbollit që të përpiqen me çdo mundësi që kanë për të kapërcyer çdo problem financiar dhe t’i japin basketbollit tonin e duhur, për ta bërë atë sa më të ndjeshëm dhe të jetë sa më pranë të rinjve.

Cilat janë përpjekjet për të zhvilluar ekipet e basketbollit dhe çfarë arritjesh kishte 2019-ta?

Ne jemi në vazhdim të një programi të rëndësishëm, të nisur katër-pesë vite më parë dhe presim që rezultatet t’i kemi në dy vitet e ardhshme, sepse kemi 4-5 vjet që marrim pjesë në të gjitha eliminatoret europiane, me të gjitha grupmoshat, duke nisur nga 16-vjeçarët. Ky vit dhe viti tjetër presim që të japë një kombëtare më dinjitoze, pasi 16- vjeçarët e para katër viteve tani janë 20-vjeçarë. Presim një kombëtare në nivelin e duhur, pasi këta djem dhe vajza vijnë me përvojë tashmë. Gjithashtu, kemi projektin e basketbollit në shkolla të mbështetur nga FIFA, ku po marrim rezultate pozitive.

avni ponari

Jeni i kënaqur me kombëtaret?

Nuk janë aty ku duhet të jenë, por po përpiqemi që me programet që kemi, t’i nxisim më shumë.

Ka krizë financiare te basketbolli?

Nuk do ta quaja krizë. Ka mungesë ligji për sponsorizimin. Ligji për sponsorizimin i jep liri çdo shoqate dhe grupimi sportiv për të rritur aftësitë menaxhuese, formalizon sportin dhe e shkëput atë nga të gjitha strukturat shtetërore. Duam që të ndërtohet një ligj i barabartë për të gjithë dhe gara të jetë e hapur për të mbështetur sportin, pasi e gjithë bota të parën gjë ka bërë ligjin për sponsorizimet, pastaj ka zhvilluar sportin.

I kënaqur me buxhetin që keni në dispozicion këtë vit?

Është shifër e ulët kundrejt 7 ekipeve kombëtare që marrin pjesë ne eliminatoret e Europianit, pa llogaritur veprimtaritë e brendshme dhe aktivitete të tjera.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"