“Kriza” e Vllaznisë/ Tensionet brenda grupit, ja prapaskenat te klubi shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2021 | 14:42

“Kriza” e Vllaznisë/ Tensionet brenda grupit, ja prapaskenat te klubi shkodran

Situata te Vllaznia nuk duket se është më e mira. Barazimi i fundit ndaj Egnatias duket se nuk është pritur aspak mirë jo vetëm nga ambienti sportiv në Shkodër, por as nga vetë drejtuesit e lojtarët e ekipit. Pas dy humbjeve edhe këtij barazimi natyrshëm lind pyetje se tek Vllaznia ka gjëra që nuk shkojnë siç duhet.

vllaznia

Madje, kjo përforcohet edhe më tepër kur pas një zëvendësimi shihet të ketë edhe reagim si ai i kosovarit kuqeblu, Liridon Latifi. Mirëpo, nga sa mësohet, te Vllaznia ka vetëm krizë rezultatesh, krizë loje dhe mungesë pikësh.

Nga burime pranë ekipit bëhet e ditur se nuk ka pakënaqësi dhe probleme të brendshme. Stafi drejtues i Vllaznisë mësohet se ka kontaktuar një për një me pjesën dërrmuese të lojtarëve dhe më pas edhe me stafin teknik për të pyetur nëse ka pakënaqësi dhe ka probleme që duhen zgjidhur.

Ajo që mësohet është se të dyja palët nuk kanë shprehur në asnjë moment se ka sadopak pakënaqësi apo probleme që të jenë shqetësim për këto rezultate. Një gjë të tillë mësohet se e kanë shprehur ndaj numrit një të klubit presidentit Xhaferi edhe stafi teknik, i cili nuk ka pohuar se ka ndonjë problem me çdonjërin prej lojtarëve.

Nga ana tjetër, as lojtarët vetë nuk kanë shprehur se kanë probleme si me stafin teknik e atë drejtues të klubit. Mësohet se edhe çështja e pagave është drejt stabilizimit të plotë. Pjesa dërrmuese e lojtarëve mësohet se kanë vetëm pagën e tetorit pa marrë.

Një pagë e cila kalon sipas rregullave gjatë muajit nëntor. Ndërsa disa nga lojtarët janë në pritje edhe të pagës së shtatorit. Edhe në këtë drejtim stafi drejtues së bashku me lojtarët janë sinkron dhe nuk ka problem. Nga asnjë prej lojtarëve nuk është shfaqur si problem kjo vonesë.

Nga sa bëhet e ditur, te Vllaznia mungesa e rezultateve nuk vjen nga probleme tjera, përveç asaj që ka lidhje me fushën e blertë. Në këtë drejtim stafi teknik dhe vetë lojtarët tanimë do të bëjnë maksimumin që ta kalojnë këtë krizë rezultatesh dhe të korrigjohen për përballjet e ardhshme.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"