Kriza e sulmit tek Partizani, “demave” një gol u kushton 60 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2018 | 9:32

Kriza e sulmit tek Partizani, “demave” një gol u kushton 60 mijë euro

Prej kohësh është thënë se Partizani i sezonit 2017-2018 mbetet i destinuar për të vendosur rekordet më negative në historinë e tij 72-vjeçare si klub futbolli. Gjithçka e ka zanafillën te kriza e golit. Kurrë nuk kishte ndodhur që Partizani ta shënonte golin e parë në kampionat në javën e pestë duke vendosur rekordin e parë “të zi” për këtë sezon. Edgar Çani, Xhevahir Sukaj, Mustafa Xhixhiua, Milan Basrak, Erik Herrera, Realdo Fili, Jurgen Bardhi dhe Gerhard Progni, ishte “armata” sulmuese e Partizanit në fillim të sezonit.

partizani

Me këtë kontingjent u mendua se “demat” nuk do të kishin kundërshtar që t’i përballonte, por tashmë dihet realiteti i kësaj ushtrie që rezultoi se ishte e armatosur me “pushkë druri”. Statistikat e golave të Partizanit në 19 javët e luajtura janë ndër më të këqijat, pasi skuadra nuk arrin që të shënojë asnjë gol për ndeshje. Partizani i 19-të javëve të para ka arritur të shënojë 17 gola, aq sa realizoi Kaleb Ekuban në sezonin e shkuar. Italo-ganezi pati një mesatare shënimi gjysmëgoli për ndeshje, ndërsa aktualisht i gjithë Partizani, i cili ka kryer 24 përforcime në merkatot e verës dhe dimrit, e ka mesataren e shënimit 0.89 gola për ndeshje.

Lorenc Trashi mbetet golashënuesi më i mirë i 19-të javëve me 4 gola. Krizën e golit e tregon fakti që të kuqtë nuk kanë shënuar në 11 nga 19 ndeshjet e luajtura. Duke ditur shifrat e “çmenduara” që ka shpenzuar Partizani në këtë sezon, ku në pjesën e parë të sezonit u përfol se klubi harxhonte rreth 180 mijë euro, i bie që një gol i këtij ekipi të konsiderohet vërtet i artë. Duke rrumbullakosur shifrat e shpenzimeve që nga gushti e deri në janar dhe golat e shënuar deri tani, i bie që një gol i Partizanit kushton rreth 60 mijë euro.

partizani golat

Shkaqet e këtij dështimi janë nga më të ndryshmet, pasi drejtuesit e merkatos së verës sollën lojtarë që rritën shpenzimet duke shpërfytyruar imazhin e Partizanit. Ndërsa për prurjet e merkatos së janarit është herët për të folur, por ndeshjet e luajtura deri tani kanë treguar se edhe në dimër janë afruar lojtarë jo të denjë për fanellën e kuqe. Blerja më e shtrenjtë e Partizanit, por edhe e futbollit shqiptar, Edgar Çani, i cili nënshkroi për 20 mijë euro në muaj, ka rezultuar thjesht figurant, pasi erdhi i dëmtuar dhe akoma nuk është gati për “demat”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"