Kriza e sulmit te Kombëtarja, “ora” e golit ka ngecur te Bogdani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2018 | 21:17

Kriza e sulmit te Kombëtarja, “ora” e golit ka ngecur te Bogdani

Shqipëria ka probleme serioze në sulm. Diçka e tillë është lehtësisht e kuptueshme, qoftë nga ecuria e ndeshjeve të fundit, qoftë nga sfida miqësore me Jordaninë. Pa analizuar problemet e tjera që kishte Kombëtarja, për të thënë të vërtetën disa herë arriti të shkonte te porta kundërshtare, por nuk i shfrytëzoi ato raste për t’i shndërruar në gol. Mungon një bomber, mungon një sulmues që të ndëshkon me gjysmë rasti, një nga ata me të cilët e nis ndeshjen 1-0 në favor.

Shqiperia555

Armando Sadiku është i dëmtuar, por vetëm ai nuk e shpëton dot këtë moment negativ të sulmit kuqezi. Cikalleshi ishte një premtim, por s’kishte raport me golin, Balaj më shumë nuk luan sesa luan, Manaj bën mirë në Spanjë, por jo me Shqipërinë.

Bogdani, i fundit- Dhe kur flasim për “vrastarët” e zonës, të shkon në mendje Erjon Bogdani. Mirë për të, keq për ne. Sepse ai është i fundit i sulmuesve që shënonin rregullisht me kombëtaren, por i ka dhënë lamtumirën kombëtares në vitin 2013 dhe 5 vite më vonë nuk e kemi ende një Bogdan të ri.

Bogu-470x303

Aktualisht është trajner i Kombëtares U19, ndërsa mban titullin si golashënuesi më i mirë i historisë së Shqipërisë me 18 gola. Dhe pse është pikërisht Bogdani? Ka një shpjegim. Karrierën e tij e ndërtoi në një kampionat shumë të vështirë dhe që ishte një sprovë për çdo sulmues si Seria A. Luajti me skuadra të nivelit mesatar, por u përball me mbrojtës të frikshëm dhe mësoi shumë në një futboll që ka si bazë taktikën.

Gjëra që në dukje mund të quhen të vogla, por që kanë një rëndësi të madhe. Bogdani shënonte me kokë, me këmbë, shfrytëzonte mirë çdo pasim që vinte në zonë. Po ashtu Igli Tare ishte një “usta” në zonë dhe nuk falte rastet përpara portierit. E njëjta gjë vlen edhe për të, luajti në Itali dhe në Gjermani.

Sadiku festimi

Problemet- Sulmuesit e këtij brezi nuk luajnë në kampionate të forta. Karriera e tyre është e shtrirë në kampionate të niveleve të dorës së dytë si në Turqi, Poloni, Rusi, Rumani, Greqi, etj,. Edhe ata që arrijnë të “kapin” ndonjë skuadër në kampionat të rëndësishëm, e kanë të vështirë që të kenë minuta dhe të aktivizohen rregullisht. Kjo sjell probleme edhe në Kombëtare.

Të gjithë sulmuesit që janë provuar gjatë, por edhe pas epokës së Bogdanit nuk e kanë mbajtur dot hapin e tij dhe kanë shënuar shumë pak. E gjitha kjo sepse nuk kanë pasur një vazhdimësi në ekipet ku aktivizohen dhe ndryshimet e tepërta kanë sjellë probleme për ta, por edhe për Kombëtaren shqiptare.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"