Kriza e Realit, 11 ekipe në 11 ndeshje. Lopetegui nuk ka një formacion fiks

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 17:15

Kriza e Realit, 11 ekipe në 11 ndeshje. Lopetegui nuk ka një formacion fiks

Hulen Lopetegui nuk po e gjen dot skuadrën titullare te Reali i Madridit. Në 11 ndeshjet e para zyrtare me ekipin madrilen, trajneri nuk ka përsëritur asnjë rreshtim në fushën e lojës. Dëmtimet e shumta kanë kontribuar ndjeshëm në këto ndryshime të shpeshta dhe në mungesën e vazhdimësisë, por gjithashtu ndryshimet kanë ardhur edhe për shkak të vendimeve për arsye teknike. Edhe kur i ka pasur të gjithë lojtarët në dispozicion, trajneri ka bërë ndryshime për të freskuar grupin e lojtarëve.

Lopetegui

Dëmtime- Një nga problemet e mëdha të skuadrës së Realit kanë qenë dëmtimet. Deri tani, 7 lojtarë kanë vuajtur nga problemet fizike: Vajeho, Odriozola, Isko, Marselo, Karvahal, Bejl, Benzema. Mungesat e Karvahalit dhe Marselos (3 ndeshje) e kanë detyruar trajnerin Lopetegui që të ndryshojë shpesh mbrojtjen. Vetëm 4 herë nga 11 ndeshje, spanjolli dhe braziliani kanë luajtur në krahët e Ramosit dhe Varanit. Kjo ka bërë që Naço të përdoret si një “xhol” në mbrojtje dhe gjithashtu të debutojë i riu Reguilon. Apendiciti i Iskos ka qenë një goditje e madhe. Ai humbi 5 ndeshjet e fundit të Realit dhe rezultatet janë: 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Bejl gjithashtu e braktisi skuadrën në momentet e fundit, çka bëri që Lopetegui të ndryshonte shumë.

Rrotacione- Por nuk janë vetëm dëmtimet ato që nuk e kanë lejuar trajnerin që të përdorë formacionin e njëjtë. Mjafton të shohim ndryshimet e shpeshta që ka bërë në portë, duke ndryshuar Navasin dhe Kurtuanë. “Në futboll nuk ka 11 të paprekshëm. Në një ekip duhet të luajnë të gjithë”, tha trajneri. Këtë politikë ai filloi ta përdorte edhe në repartet e tjera të fushës, duke lënë në stol Modriçin në shumë ndeshje, por duke përzier kartat edhe në sulm me Asension, Bejlin, Benzemanë dhe Iskon.

Madje, qëndrimi në stol i Modriçit është një nga temat e nxehta dhe të diskutuara me shumicë në Spanjë. Por ndryshimet e shpeshta që ka pësuar Reali i Madridit gjatë kësaj kohe, kanë sjellë rezultate negative. Edhe Zidan bënte shumë ndryshime, por në fakt janë rezultatet ato që vendosin nëse i bëjnë mirë skuadrës apo jo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"