Kriza e Milanit, Andre Silva dhe Donaruma bëjnë gati valixhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2017 | 10:30

Kriza e Milanit, Andre Silva dhe Donaruma bëjnë gati valixhet

Pas lajmeve të këqija fillimisht nga UEFA e më pas nga stadiumi i Rijekës, dje populli milanist është zgjuar me dy lajme të tjera jo fort të mira. Sipas së përditshmes italiane “Corriere dello Sport”, në zyrat kuqezi ka mbërritur një ofertë për Andre Silvën. Luzitani po vuan në Serinë A, por paraqitjet me Portugalinë dhe me Milanin në Europë konfirmojnë cilësitë e tij prej bomberi ndërkombëtar.

Milan

Katalanasit, duke parë formën që po kalon Luis Suarez, kërkojnë një sulmues alternativ për uruguaianin dhe kanë pikasur 20-vjeçarin e kuqezi. Verën e kaluar, “Djalli” për kartonin e tij derdhi plot 38 milionë euro në arkat e Portos dhe nuk ka ndër mend të bëjë ulje, megjithatë oferta prej 45 milionë eurosh nga Barcelona nuk është marrë në shqyrtim.

andre silva

Deri në hapjen e merkatos së janarit ka ende kohë dhe priten mësymje të tjera nga Katalunja, por duke parë pesimizmin që ekziston mbi buxhetin e Milanit (flitet për 100 milionë euro humbje), nuk përjashtohet që drejtuesit kuqezi t’i nënshtroheshin një oferte mbi 50 milionë euro. Me Montelën, Andre Silva nuk ka gjetur shumë hapësira dhe, nëse situata nuk ndryshon me Gatuzon, portugezi mund të kërkojë largimin për të gjetur më shumë hapësirë në vitin e Botërorit.

XHIXHO – Për Xhanluixhi Donarumën, hapësirat dhe minutat kanë qenë me bollëk, por nëse UEFA konfirmon refuzimin dhe Milani nuk shkon në Ligën e Kampioneve, portieri do të jetë një tjetër i sakrifikuar për hir të arkave të klubit.

Donaruma

Situata në “Casa Milan” është kaotike, por ditën e djeshme në zyrat kuqezi ka mbërritur pikërisht Xhixho me prindërit. Nuk dihet arsyeja e kësaj vizite, sidomos një ditë pas ndeshjes me Rijekën, por retë shtohen edhe në të ardhmen e portierit, për të cilin me siguri nuk do të mungonin oferta.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"