Kriza e golit, ish-bomberi i Kukësit alternativa më e favorshme për sulmin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2020 | 18:10

Kriza e golit, ish-bomberi i Kukësit alternativa më e favorshme për sulmin e Partizanit

Bilanci aktual i merkatos dimërore të Partizanit është një lojtar i afruar dhe dy të larguar. Kampionët kanë zyrtarizuar afrimin e Dorian Kërçikut, si dhe janë larguar në huazim Jasir Asani dhe Alesio Hyseni. 

Partizani

Prioritet i merkatos aktuale ka qenë gjetja e një bomberi, pasi tre sulmuesit e afruar në verë, Solomon, Braun dhe Ekuban, nuk kanë “shkrepur” në 17 javët e para. Është thënë që në fillim se kërkesat e trajnerit të ri Adolfo Sormani për drejtuesit në këtë merkato ka të bëjë me afrimin e një bomberi dhe zëvendësimin e Jasir Asanit.

Gjatë periudhës përgatitore në Antalia, Partizani ka testuar disa lojtarë për të plotësuar dëshirat e trajnerit, por duket se nuk kanë goditur. Të kuqve u janë ofruar edhe sulmues me emër, kryesisht të huaj, por drejtuesit nuk janë bindur, kryesisht nga mosha e tyre, pasi kanë qenë mbi 30 vjeç, dhe nga koha e pakët që u duhet të përshtaten me futbollin shqiptar. Duke ditur që janari afron pak mundësi, drejtuesit po kërkojnë për ndonjë element që e njeh futbollin shqiptar, që të mos e ketë të vështirë ambientimin.

Rexhinaldo Kukesi

Por mund të jetë me moshë të re, ku mund të investohet edhe për të ardhmen. Zërat e merkatos kanë bërë me dije se te Partizani lakohet edhe një sulmues i njohur në Superiore, pikërisht mozambikasi Arturo Rexhinaldo. 29-vjeçari e ka treguar veten në Shqipëri me Luftëtarin, Laçin dhe në sezonin e fundit me Kukësin.

Rexhinaldo

Rexhinaldo është lojtar i lirë, pasi aventura e tij në Kazakistan është mbyllur para kohe. Në këto kushte ku ndodhet merkatoja e kampionëve, Arturo Rexhinaldo konsiderohet si alternativa më e favorshme për sulmin e Partizanit. Ekziston edhe plani B, që trajneri Sormani të besojë më shumë te treshja e huaj sulmuese, por miqësorja e fundit me Honved nxori sërish në pah problemet që kanë “demat” në fazën ofensive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"