Kriza e golit, bardheblutë “shterpë” në 13 ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2016 | 12:48

Kriza e golit, bardheblutë “shterpë” në 13 ndeshje

Mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë e ka dëmtuar jo pak Tiranën. tiranaEdhe pse lojtarë si Bakaj, Fukui, Lika e Muzaka kanë bërë ç’të munden për të gjetur rrjetën, pa një “pykë” bardheblutë po vuajnë së tepërmi. Dhe këtë e thonë vetë statistikat.

Mjafton të shohësh rezultatet në total të 32 ndeshjeve të luajtura deri në këtë fazë të kampionatit dhe e kupton se “shterpësia” ka penalizuar ndjeshëm objektivat e bardhebluve. Janë plot 13 takime që Tirana ka ngecur në finalizim. Mesatarja e golit nuk është fort e kënaqshme, pasi në 32 javë kanë shënuar 32 gola, pra nga një gol për ndeshje. Dy ndeshjet e fundit janë dëshmi e kësaj krize.

Me Skënderbeun dhe Teutën ekipi i drejtuar nga Ilir Daja, edhe pse dominoi në fushë dhe krijoi një mori rastesh, në fund nuk e gjeti dot golin. Kjo u shoqërua me 5 pikë të humbura, pasi me korçarët u ndëshkuan në limit, ndërsa me durrsakët nuk shkuan më larg se “X”-i.

Në këtë edicion, në fakt, kryeqytetasit janë rekordmenë të barazimeve, pasi në 13 ndeshje kanë marrë vetëm nga një pikë. Asnjë skuadër tjetër e Superiores nuk ka mundur që të barazojë më shumë ndeshje se bardheblutë. Dhe po të bësh një bilanc të thjeshtë, duket qartë se vështirësia për të gjetur rrjetën është kthyer në “gangrenë” për kryeqytetasit.

Ata aktualisht renditen në vendin e pestë, me 49 pikë të grumbulluara. Edhe pse synojnë Europën, fakti që janë -6 nga Kukësi dhe -4 nga Teuta e ka vënë realisht në rrezik misionin final. Por gjithçka mund të ndreqej nëse të mërkurën thyen rivalin e përjetshëm. Me një fitore, ekipi i Tiranës do t’i shtonte shpresat vetes për Europën dhe do linte jashtë gare për titull Partizanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"